TAGS-AT E JAVËS

Politike19 Janar 2026, 08:06

Kuvendi nis sesionin parlamentar, dy reforma presin negociatat PS-PD

Shkruar nga Pamfleti
Kuvendi nis sesionin parlamentar, dy reforma presin negociatat PS-PD
Kuvendi në seancë plenare

Kuvendi nis sot sesionin e ri parlamentar. Fillimisht do të jetë Konferenca e Kryetarëve që do të zhvillojë një mbledhje në orën 11:00, ku do të shqyrtohet projektprogrami i punës së Kuvendit për periudhën 19 janar 2026 – 27 shkurt 2026.  

Gjithashtu Konferenca e Kryetarëve do të shqyrtojë projektkalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën 19 janar 2026 – 6 shkurt 2026.  

Më pas do të jetë Komisioni për Nismat Qytetare që do të zhvillojë mbledhjen e parë për vitin 2026-të. Në këtë mbledhje do të miratohet plani i punës për kërkesën e ardhur nga Këshilli i Larte Gjyqësor për sigurinë në gjykata dhe për kërkesen e Agjencisë së Inteligjencës Financiare. 

Seanca e parë për vitin 2026-të do të mbahet në orën 17:00.

Kuvendi nis sesionin parlamentar, dy reforma presin negociatat PS-PD

Seanca e fundit e Kuvendit u mbajt në 18 dhjetor, pra 1 muaj më parë. Sesioni i ri parlamentar pritet të shënojë debate të forta mes mazhorancës dhe opozitës, ndërsa klima politike në vend duket se do të rrisë “temperaturat”.

Gjithsesi për dy nga reformat që konsiderohen kyçe, ajo Zgjedhore dhe ajo Territoriale, socialistët e Edi Ramës dhe demokratët e Sali Berishës, pritet të ulen në negociata. Kjo të paktën u pohua në fundjavë edhe nga kreu demokrat, Sali Berisha, i cili tha se zgjedhjet e ardhshme locale do të mbahen me ndarjen e re territoriale.

Pritet që të dy reformat të miratohen brenda sesionit parlamentar që përfundon në korrik.

Socialistët kanë deklaruar se nuk kanë ndërmend të presin pafund demokratët në dy komisionet e posaçme që janë ngritur nga Kuvendi për diskutimin dhe hartimin e drafteve që më pas do të paraqiten në Kuvend për miratim, që kanë të bëjnë me reformën zgjedhore dhe atë territoriale.

Në mbledhjen e fundit të Grupit Parlamentar socialist, Kryeministri Edi Rama shkoi edhe më tej, kur foli për një reformë kushtetuese të plotë, që prekte madje edhe numrin e deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë, duke e reduktuar atë nga 140 në 100.

kuvendi punime sesioni

Lini një Përgjigje