Kësaj radhe mbi dy milion votues në Kosovë dhe diasporë, do të vlerësojnë më së miri rezultatet e deritashme të qeverisë dhe premtimet e projektet e opozitës dhe do të marrin vendimin sovran se kush do ta udhëheqë Kosovën në katër vitet e ardhshme...
Çfarë thanë apo bënë në tubimet parazgjedhore, me sallat plot dhe me plot premtime, më nuk përbën lajm. Nuk është problem të mbushësh një sallë nëë Kosovë, me simpatizantë që brohorasin, në gjysëmerrësirë, pasi dritat janë të kthyera nga liderët dhe kandidatët.
Errësira mbushë zbrazëtirat dhe e bën të mundur që profesionistët e zhurmës elektorale të bëjnë punë edhe për disa subjekte të tjera dhe në vende të ndryshme.
Çka e dallon këtë fushatë prej të tjerave është se partia e cila dikur sfidonte qeverinë në rrugë tani është në qeveri, ndërkohë që opozita e pa bashkuar nuk zgjodhi rrugën për të protestuar, por ka zgjedhur parlamentin dhe elektoratin si instrumente për t’u rikthyer në pushtet.
Përderisa në zgjedhjet e kaluara vetëm Vetvendosja ishte parti e panjohur për qytetarët, parti e cila nuk kishte pasur rast të tregonte se si di, do dhe mund të qeverisë, tashmë edhe ajo qëndron e matshme, e krahasueshme, para qytetarëve me rezultatet e qeverisjes së saj, me dështimet reale apo ato që ja atribuon opozita, me sukseset reale apo imagjinare siç ja komenton opozita.
Sidoqoftë, shpata e mprehur e anti-korrupsionit dhe luftës kundër krimit, nuk e ka mprehtësinë e dikurshme as kërcënimi nuk duket aq real, duke qenë se rezultatet e kësaj lufte nuk duken fort të prekshme, aq më tepër që gjatë gjithë mandatit qeveria ishte në një luftë të (pa)shpallur me sistemin e drejtësisë.
Qeveria sipas opozitës nuk ka shkëlqyer as në politikën e jashtme, së paku jo aq sa kishte premtuar në fushatat e kaluara, nuk shkëlqeu as me vendosjen e rendit në veri edhe përkundër rezultateve të prekshme si pasojë e shtrirjes së një kontrolli më të madh atje, përmes policisë dhe doganave, pasi “Lista Serbe” ishte tërhequr nga institucionet e Kosovës.
Vendosmëria e treguar në përballje me ekstremistët serb, sidoqoftë, ka krijuar te qytetarët një besim më të madh në policinë dhe Ushtrinë e Kosovës dhe nga kjo përpiqen të përfitojnë të gjithë duke u premtuar paga më të mëdha.
Kthimi i “Listës Serbe” në garë, me vendimin e Gjykatës Supreme, paraqitet si sfidë jo vetëm për qeverinë aktuale, duke i relativizuar rezultatet e politikës së deritashme, por do të jetë sfidë edhe për opozitën për të bërë që kjo parti serbe, e afërt me Presidentin e Serbisë, të jetë vërtetë parti kosovare dhe të ketë synim integrimin e serbëve në shoqëri.
Si një qeveri e majtë, e kthyer nga mbrojtja e shtresave sociale të rrezikuara, gati “natyrshëm”, ajo nuk shkëlqeu në marrëdhënien e saj me bizneset, përpos sukseseve sporadike në tërheqjen e kapitalit të diasporës.
Kritika të fuqishme në adresë të qeverisë kishte, sidomos nga ana e bizneseve të fuqishme vendore dhe partive për qasjen ndaj sektorit publik të ekonomisë dhe shërbimeve, apo në favorizimin e kompanive të afërta me Qeverinë, në tenderët publik.
Edhe pse u ngritën disa afera dhe dyshime për korrupsion, edhe pse sistemi i drejtësisë dukshëm i distancuar nga Qeveria, prapëseprapë rezultatet e dobëta dhe pafuqia e opozitës për të denoncuar korrupsionin eventual të qeverisë, vjen kryesisht nga historitë e korrupsionit të opozitës sa ishin në pushtet apo lidhjet e afërta me bizneset të cilat janë të njohura për afera të korruptimit të politikës dhe përfitime nga ndërmarrjet publike gjatë qeverisjes së partive; PDK, LDK apo AAK. Aq më tepër, drejtues të opozitës së pabashkuar janë parë në tryeza së bashku me bizneset e apostrofuara për korrupsion dhe lidhje me bizneset e mëdha publike e private serbe.
Premtimet e partive kësaj radhe janë më pragmatike edhe pse është ruajtur retorika për kombin, shtetin, luftën çlirimtare apo atë paqësore, duke ruajtur kështu llogoret e vjetra të luftës mes forcave politike.
Edhe pse nuk është përdorur shumë në tubimet hyrëse, në fushatë, megjithatë te secila parti dominon një çoroditje lidhur me ndryshimet në politikën e SHBA dhe asaj perëndimore në përgjithësi, dhe me shumë gjasë kjo nuk do të komentohet deri pas 20 janarit kur do të bëhet ndërrimi në Shtëpinë e Bardhë.
Gjithashtu dallime thelbësore pretendohet të ketë rreth koncepteve dhe planeve për ndarjen e Kosovës, këmbimeve territoriale të cilat VV i quan “copë më copë” dhe të cilat i atribuohen ish kreut të PDK dhe ish Presidentit Thaçi, si dhe planit të deklaruar të Vetëvendosjes që Kosovën ta bëjnë unike, “Cep më Cep”, përmes fuqizimit të policisë dhe ushtrisë siç pretendon kjo parti. Politika e Vetëvendosjes nga opozita cilësohet si antiamerikane dhe luftënxitëse edhe pse vet zyrtarët e kësaj partie e konsiderojnë veten pro amerikanë, properëndimorë dhe evropianë.
Shtizat pritet të thyhen rreth investimeve po aq sa edhe rreth luftës kundër korrupsionit. Përderisa Kryeministri Kurti u përqendrua në investime prej një miliardë eurosh në prodhim, investime në industrinë dhe infrastrukturën ushtarake; Partia Demokratike u përqendrua në investime dhe subvencione, me lehtësira fiskale dhe me qasje më të lehtë në financa për bizneset, hapjen e vendeve të reja të punës, rritjen e pagave në sektorin privat përmes rritjes së mbështetjes për bizneset me grante etj.
Ndërkaq LDK premtoi investime në infrastrukturë dhe shërbime, premtoi partneritet me bizneset private. LDK premtoi se do të ndërtohet një spital i ri në vlerë të 500 milionë eurove.
"Për të gjithë qytetarët që bredhin për shërim nëpër botë, për të gjitha familjet këtu në Kosovë, do të ndërtojmë spitalin e ri të Kosovës me plot 500 milionë euro investim në të. Shpallën gjithashtu planin për ndërtimin e një centrali të ri të energjisë me gaz amerikan.
Të gjithë premtuan rritje pagash, shëndetësi të avancuar, investime në sport e kulturë.
Ndërkohë që Qeveria, Vetvendosja pra, duke pasur përparësinë që është në pushtet, tashmë ka bërë rritje pagash, pensionesh, mbështetje për kategoritë e dala nga lufta; PDK nga opozita premton se "Në muajt e parë të qeverisjes sime, pagat do t’i rris për 50 për qind. Përveç pagave, 70 për qind do t’i rrisë pensionet bazike, do të rrisë edhe pensionet kontributdhënëse të cilat do të përshkallëzohen sipas viteve të punës. Premtoi se do t’i rrisë me 50 për qind përfitimet për familjet e dëshmorëve, për invalidët e luftës dhe veteranët e UÇK-së.
"Që në javën e parë dhe asnjë javë më shumë, të gjithë shërbyesve publikë, të gjithë mësuesve, mjekëve, policëve, zjarrfikësve, ushtarëve, të gjithë punëtorëve të shtetit do t’ua rrisim pagat me koeficient 150. Koeficienti 150 që në javën e parë është zotimi ynë publik," ka thënë lideri aktual i PDK-së.
LDK premtoi se do të themelojë Ministrinë e Familjes dhe përmes saj do të kujdeset për të porsalindurit për një vit, do të hapë 80 çerdhe të reja dhe do të organizojë mësim ditor për nxënësit.
Premtoi që Kosova të ketë mbi 10 mijë policë, me polici në bashki, polic në secilën lagje e vend në Kosovë, qendrën më të madhe sportive në Bërnicë, 5 stadiume rajonale të kategorisë tre dhe katër të UEFA-s, që do të ndërtohen në Pejë, Prizren, Ferizaj, Gjilan e Gjakovë, se në Brezovicë dhe Pejë do të ndërtohen dy komplekset më të mëdha turistike sportive. Premtoi teatrin e Operas dhe Baletit, Teatrin e ri Kombëtar, Muzeun e Paqes dhe Rezistencës dhe Muzeun e Artit Bashkëkohor.
Sidoqoftë këto ishin premtimet e para dhe jo të gjitha partitë kanë filluar me intensitet dhe kapacitet të njëjtë. Përderisa LDK, PDK dhe AAK startuan në kryeqytet më fuqishëm, VV startoi nga Gjakova, jo me intensitet të plotë, duke e lënë opozitën të qëllojë me “argumentet” e kalibrit më të madh. Përse e ka bërë këtë, mbetet të shohim përgjatë fushatës, nëse ishte ky kapaciteti i plotë i saj, apo ishte vetëm taktikë, për të hedhur në fund premtimet e saj kyçe.
Pasi fushata do të jetë e gjatë, pritet që shpalosja e kandidatëve dhe programeve, promovimi i tyre të jetë më i balancuar përgjatë saj, duke ruajtur apo përmbledhur në fund pikat më të forta dhe kritikat më të forta për kundërshtarët.
Kësaj radhe mbi dy milion votues në Kosovë dhe diasporë, do të vlerësojnë më së miri rezultatet e deritashme të qeverisë dhe premtimet e projektet e opozitës dhe do të marrin vendimin sovran se kush do ta udhëheqë Kosovën në katër vitet e ardhshme. Ka edhe nga jashtë faktorë të interesuar të ndikojnë në rrjedhën e fushatës dhe mbase edhe në rezultatin final, por deri më tani duket se KQZ e ka situatën nën kontroll dhe monitorimin ndërkombëtarë do të bëjë që aktorët të jenë të vëmendshëm dhe qytetarët të besojnë në proces./Pamfleti
Lini një Përgjigje