Ditën e sotme, kryeministri Edi Rama ka mbledhur në një takim shefat e QSUT, pas skandalit të Onkologjikut, ku po u jep 'leksione' para kamerave.
Skandali i zbuluar javën e kaluar pati reagime të forta të publik, ç'ka detyroi edhe Ramën të dilte publikisht për mediat dhe të merrte masa për një fenomen që ka vite që u rëndon qytetarëve të cilat qeveria i ka mbyllur të dy sytë.
Ky është reagimi i parë i Ramës lidhur me skandalin e bluzave të bardha.
Me tone të ashpra, Rama u tha mjekëve se të përdorësh uniformën e bardhë për të nxjerrë para nga sëmundjet është krim kundër njerëzimit.
'Në një moment shumë të errët që krijoi për të gjithë komunitetin e bluzave të bardha dalja në dritë ë veprimtarisë kriminale të disa individëvë në spitalin Onkologjik mu kujtuan fjalët e njërit prej heronjve të shëndetësisë shqiptare, profesorit Besim Elezi, ditën kur ishim së bashku në hapjen e spitalit ultra modern të sëmundjeve të brendshme: “As në ëndërr nuk e kishim parë dot një spital me këto kushte dhe ky spital nuk ka asgjë më pak se sa spitalet më të mirë të Evropës”. Profesori Elezi dhe vëllezërit e gjeneratës së tij i dhanë jetë një shëndetësie në kushtet më minimale, në një spital që s’kishte më shumë se sa pastërtinë dhe mjetet e spitalit të Mesjetës në Francë, në ato pak qendra të zhvilluara të Evropës asokohe.
Në këtë territor ku jemi sot mungonte gjithçka nga çfarë kemi sot, por nuk mungonte figura dhe përkushtimi i mjekut. Ndërsa sot, nuk mungon thuajse asgjë nga çfarë nuk kishim dje, por fatkeqësisht, jo gjithnjë, figura dhe përkushtimi i mjekut janë në lartësinë e misionit që nis me betimin e Hipokratit. Të mos jesh në lartësinë e detyrës në shumë profesione të tjera është problem jo i vogël, por të mos jesh në lartësinë e detyrës në profesionin tuaj është më shumë se një problem i madh, është një hall shumë i madh për njeriun kur me mjekun lidhet fati i shëndetit të tij, të kesh marrë diplomën dhe licencën dhe ta përdorësh uniformën më simbolike njësoj si maskat e grabitqarëve të bankave për të nxjerrë para me gjakun dhe ilaçet e të sëmurëve është krim jo vetëm kudnër tyre por kundër gjithë njerëzimit.', tha Rama.
Ju rikujtojmë se Edmond Gashi, mjek pranë spitalit Onkologjik në QSUNT, Emiljano Leka, koordinator pranë Spitalit Onkologjik ne QSUNT, Alketa Ymeri (Pere), mjeke pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT, Brikena Qirjazi, Zv/Drejtoreshë në QSUNT e ngarkuar me detyra për shërbimin onkologjik, Halil Gashi, Florian Marku, administrator i Flori Farma dhe Drilona Kishta janë personat e vënë nën hetim lidhur me skemën e mashtrimit që përdornin me personat e sëmurë me kancer.
Skandali në spitalin e Onkologjikut u zbulua nga Prokuroria e Tiranës pas denoncimit të një familjari.
Prokuroria ka zbuluar se pacientëve që ishin të sëmurë me tumor këta mjekë nuk i jepnin shërbimin, por i orientonin që të shkonin te klinika private “Megis” në pronësi të mjekut Edmond Gashi. Në dosje është evidentuar edhe një tjetër skandal, ku të sëmurëve që bënin kimioterapi në Onkologjik nuk u jepej doza e plotë e ilaçeve, dhe kjo dozë nxirrej më pas në shitje në disa farmaci në Tiranë.
Gjithashtu luhej me aparaturën e kobaltit dhe u kapën përgjime për “kapjen e Maldiveve apo Tajlandës me 5 operacione”.
Ndërkohë, sa i takon ish.zvdrejtoreshës së Onkologjikut, Qirjazi, ajo po hetohet në këtë dosje pasi emri i saj del në lidhje me aparaturën e Kobalto-Terapie për trajtimin e të sëmurëve me sëmundje tomorale. Radioterapia nuk u vu kurrë në punë edhe pse aparatura e lënda e rrezikshme kimike “Kobalto” ka qenë në spital prej vitit 2021.
Po ashtu, Qirjazi ka fshehur të dhënat e matjes së disa ekspertëve të huaj për rrezatimin nga kjo aparaturë, që rezultoi se ishte 20 herë më i lartë se normat normale. Madje edhe një mjek kishte ngritur zërin, ishte zhvilluar një mbledhje, por Qirjazi dhe të tjerë mjekë e kundërshtuan dhe më pas ai u largua nga puna./ Pamfleti
Lini një Përgjigje