
Noka heq nga grupi në WhatsApp emrat që nuk fituan më 11 maj...
Sali Berisha ka nisur spastrimin e forumeve të partisë nga deputetët që mbetën jashtë Kuvendit. Pasi i përjashtoi nga listat, tani duket se ata nuk do të jenë më pjesë e Këshillit Kombëtar.
Në media kanë dalë faksimile nga grupi në WhatsApp i Këshillit Kombëtar të PD. Aty duket qartë se Flamur Noka ka hequr nga grupi të gjithë ish-deputetët, të cilët, me humbjen e mandatit, nuk do të jenë as anëtarë të Këshillit Kombëtar.
Ata pritet të zëvendësohen nga deputetët e rinj që siguruan mandatin në zgjedhjet e 11 majit.
Sipas “MCN”, emrat e larguar janë: Dash Sula, Dhurata Çupi, Helidon Bushati, Ferdinand Xhaferraj, Emilia Koliqi, Lefter Gështenja, etj.

Javën që vjen pritet të bëhet konstituimi i Parlamentit të ri dhe me shumë interes pritet se çfarë do të ndodhë në PD. Statuti e tregon qartë se në rast se humbet zgjedhjet, kreu i PD duhet të largohet. Sali Berisha nuk e ka zbatuar këtë nen deri më tani. Ndërkohë që ka pasur zëra tek-tuk që kërkojnë që të bëhet analizë e thellë e humbjes, por të gjithë kanë frikë të kërkojnë largimin e tij. Edhe Gaz Bardhi që dikur ishte kritik, duket se e ka kapërdirë turpin me bukë dhe ka dalë krah Berishës. Të njëjtën gjë ka bërë edhe Agron Gjekmarkaj.
Ndërkohë duket se Noka ka nxitur të pastrojë Këshillin Kombëtar nga ata që mbetën jashtë, të cilët me shumë mundësi tani mund të fillojnë të ngrenë zërin.
Lini një Përgjigje