Partia e Lirisë ka reaguar ashpër pas caktimit të gjyqtares Irena Gjoka për të shqyrtuar çështjen penale ndaj ish-Presidentit Ilir Meta, duke hedhur akuza të forta mbi ligjshmërinë e përzgjedhjes dhe integritetin e saj profesional.
Në një deklaratë të ashpër për mediat, Sekretari i Përgjithshëm i PL-së, Tedi Blushi, ka denoncuar caktimin e Gjokës si “jo të rastësishëm” dhe të orkestruar politikisht nga Edi Rama dhe kreu i SPAK, Altin Dumani. Ai e cilësoi Gjokën si “delikuente recidiviste”, duke publikuar dokumente që sipas tij vërtetojnë dënimin e saj në Greqi për falsifikim dokumentesh dhe dëbimin administrativ nga autoritetet greke.
“Nuk e caktoi shorti, por Edi Rama dhe Altin Dumani. Ka qenë e dënuar me burg dhe gjobë në Janinë për dokument të falsifikuar dhe është dëbuar nga Greqia. Kaloi vettingun me mashtrim. Kjo nuk është drejtësi, por farsë me regji politike", ka deklaruar Blushi.
Ai paralajmëroi se nëse Gjoka nuk largohet nga kjo çështje, procesi ndaj Ilir Metës “nuk do të njihet si proces gjyqësor, por si një operacion politik për eliminimin e opozitës”. Sipas tij, vendimi për caktimin e saj nuk është vetëm i paligjshëm, por i koordinuar nga lart për të ekzekutuar urdhra të pushtetit politik.
Lini një Përgjigje