
Grafiku i fundit i Eurobarometrit është një shuplakë e ftohtë për Tiranën zyrtare: Shqipëria mbetet në fund të listës së vendeve kandidate që qytetarët e BE-së duan të shohin brenda Unionit...
Ndërsa 91 % e shqiptarëve brenda vendit deklarojnë se janë pro anëtarësimit në Bashkimin Europian, perceptimi i vetë europianëve për Shqipërinë është diametralisht i kundërt.
Në sondazhin më të fundit të Eurobarometrit, Shqipëria ka përqindjet më të ulëta të përkrahjes krahasuar me të gjithë fqinjët e saj ballkanikë: vetëm 48 % në Itali, vendi që tradicionalisht ka qenë avokat i fortë i Tiranës, ndërsa në pjesën tjetër të Europës, mbështetja bie ndjeshëm, shpesh nën 40 %. Krahasimisht, Mali i Zi gëzon 72 % mbështetje, Bosnja 74 % dhe Maqedonia e Veriut 70 %. Edhe Serbia, me gjithë lidhjet e saj me Moskën, paraqitet më lart në disa tregues.
Ky rezultat është një akt-akuze e drejtpërdrejtë për qeverinë Rama, e cila për më shumë se një dekadë e ka pasur integrimin në BE si flamur elektoral.
Në vend që të prodhojë besueshmëri dhe simpati tek partnerët evropianë, Shqipëria sot perceptohet si një vend problematik: me korrupsion endemik, kapje të shtetit, drejtësi të deformuar dhe ekonomi të dobët.
Në vend që të jetë një “histori suksesi e Ballkanit”, Tirana ka mbetur sinonim i tranzicionit të pafund dhe i premtimeve boshe.
Në mënyrë të qartë, Italia del si e vetmja përkrahëse e fortë, gjë që lidhet me faktorë të jashtëm: marrëdhëniet historike, roli i emigracionit shqiptar në ekonominë italiane dhe lidhjet politike mes dy qeverive. Por kjo nuk mjafton. Kur gjysma e Europës shikon Malin e Zi, Bosnjën apo Maqedoninë e Veriut si më të përshtatshme për t’u futur në BE, Shqipëria përballet me një problem serioz imazhi dhe besimi.
Nëse Rama ka dashur të shesë propagandën e “kampionit të integrimit”, grafiku i Brukselit ia zbërthen maskën. Shqipëria është në fund të renditjes dhe kjo është pasqyrë e një realiteti të hidhur: Europa nuk i beson reformave të Tiranës. Qytetarët evropianë shohin përtej sloganeve, ata shohin raportet e KE-së, skandalet e korrupsionit, dosjet e pandëshkuara dhe emigracionin masiv.
Në vend që të shfrytëzonte entuziazmin popullor shqiptar dhe momentumin strategjik të zgjerimit, qeveria Rama ka humbur terren, duke e lënë vendin të perceptohet si “i fundit në garën evropiane”. Dhe kjo nuk është thjesht shifër sondazhi, por një mesazh alarmues: nëse nuk ka ndryshim real dhe të prekshëm në qeverisje, Shqipëria rrezikon të mbetet në “dhomën e pritjes” së BE-së për një kohë të pacaktuar./Pamfleti
Lini një Përgjigje