TAGS-AT E JAVËS

Politike15 Shkurt 2024, 12:11

Shqipëria strehë për emigrantët, Senati italian miraton paktin Rama-Meloni

Shkruar nga Pamfleti

Shqipëria strehë për emigrantët, Senati italian miraton

Senati italian ka miratuar marrëveshjen Shqipëri-Itali për emigrantët që parashikon ngritjen e dy kampeve në vendin tonë për të pritur 3000 azilkërkues të huaj në vit.

Ky projektligj u miratua nga Senati i Italisë me 93 vota pro, 61 kundër dhe asnjë abstenim. Pas miratimit nga Senati, marrëveshja u duartrokit nga deputetët e mazhorancës italiane.

Kujtojmë se marrëveshja për emigrantët e nënshkruar nga Kryeministrat Rama-Meloni është aprovuar edhe nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, si dhe është miratuar nga Parlamenti.

Më 6 nëntor 2023 kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni nënshkruan në Romë marrëveshjen për ndërtimin në Shqipëri të dy qendrave për strehimin e emigrantëve.

Sipas marrëveshjes për emigrantët porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë në muaj.

Emigrantët do të qëndrojnë në pritje të përgjigjes për azil nga autoritetet italiane në strukturën që do ndërtohet po nga italianët. Shpenzimet do të përballohen nga Italia dhe sipas përllogaritjeve shteti fqinj do t’i paguajë vendit tonë fondin e parë në shumën 16.5 milionë eurove brenda një 3-mujori.

Kohëzgjatja e marrëveshjes do jetë 5 vjet, por mund të shtyhet automatikisht edhe me 5 vite të tjera nëse ndonjëra nga palët nuk komunikon të paktën gjashtë muaj përpara afatit të përfundimit qëllimin e saj për të mos e rinovuar këtë protokoll.

marrëveshja rama meloni

Lini një Përgjigje