TAGS-AT E JAVËS

Politike26 Shkurt 2026, 19:05

Shqipëria katastrofë me rrugët dhe skandale pa fund, ministrat e Ramës flasin për ëndrra digjitale!

Shkruar nga Pamfleti
Shqipëria katastrofë me rrugët dhe skandale pa fund, ministrat e
Mbledhja e grupit të PS

Mes skandaleve për rrugët, përmbytjeve dhe akuzave për korrupsion, mbledhja e PS u shndërrua në një paradë deklaratash optimiste, ku ministrat folën për miliona euro, IPARD dhe Inteligjencë Artificiale...

Teksa Shqipëria zien nga skandalet qeveritare, Edi Rama organizoi një mbledhje të grupit parlamentar, mbledhje për t’u hedhur hi syve shqiptarëve dhe për të dërguar mesazh drejt drejtësisë se nuk mund t’u afrohet më shumë.

Përveç fjalimit dyorësh të Ramës, i cili nuk foli për asnjë moment për korrupsionin që ka skandalizuar BE-në apo për skandalet me rrugët e Shqipërisë, që prej mëngjesit janë duke folur ministrat, të cilët po bëjnë garë kush e kush të tregojë se ka qenë më i suksesshmi.

Teksa Juglindja është izoluar tërësisht dhe qindra qytetarë udhëtojnë për orë të tëra për të shkuar në Korçë dhe anasjelltas, para disa javësh u përmbytën Durrësi, Vlora, Gjirokastra etj., ministri Pirro Vengu ka folur për rritje të fondeve për rrugët dhe emergjencat.

Së fundmi 10 milionë euro fond i sapo shpërndarë për diga, prita lumore dhe ura për të gjitha bashkitë. Rinovimi i flotës kombëtare të emergjencave, të zjarrfikësve. Kemi 2 milionë euro shtesë ku Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe KAYO do të prodhojnë ‘Made in Albania’ dhe në maj do të kemi fillimin e këtyre mjeteve, që do të shpërndahen për bashkitë. Fokusi është parandalimi në aspektin e pritave lumore, digave dhe adresimin e dëmeve të përmbytjeve të muajve të fundit”, tha mes të tjerash Vengu.

Nga ana tjetër, teksa shqiptarët kanë ikur dhe po zëvendësohen me bangladeshas dhe pakistanezë, ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, është shprehur se punësimet do të bëhen me Inteligjencë Artificiale.

Gjithashtu do të kemi një portal tërësisht të rishikuar të punësimeve në administratë, në bashkëpunim me ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, për të garantuar që të gjitha thirrjet e pozicioneve vakante në administratën publike, qofshin të shërbimit civil apo jo, përfshi këtu edhe të gjitha shoqëritë aksionere me pronësi shtetërore, të publikohen përmes portalit, si dhe portali, përmes një elementi injektimi të Inteligjencës Artificiale, të mund të bëjë edhe përputhjen mes çdo kandidati dhe çdo pozicioni pune që është vakant”, tha Pirdeni.

Në të njëjtën linjë ishte edhe ministri i Financave, Petrit Malaj, i cili sheh ëndrra me sy hapur. Sipas tij, synohet riaktivizimi i fondeve IPARD (gjë që nuk e ka në dorë qeveria), teksa sërish u fiksua te Inteligjenca Artificiale.

"Sikundër kemi dhe prioritet që brenda këtij viti të marrim akreditimin dhe zbatimin e Programit IPARD III; Gjithashtu, viti 2026 do të jetë dhe viti i Inteligjencës Artificiale, ku do të zgjerojmë dhe thellojmë  implementimin e moduleve të AI në tatime dhe dogane, me qëllim rritjen e të ardhurave, uljen edhe rritjen e cilësisë së shërbimit", tha ai.

Ndërsa ministrja Albana Koçiu foli për adresat, ndërtimet pa leje dhe “Smart City”, por për asnjë moment për krimin dhe bandat.

Smart City janë 5 mijë kamera cilësore që do të montohen në rrugët kryesore, janë mbi 20 shkolla që do të monitorohen, të gjitha këto për të rritur më shumë standardin dhe sigurinë e komuniteteve tona”, shtoi Koçiu.

Pra, duket se mbledhja sot ka qenë një mbledhje ku Rama po tenton të përmirësojë imazhin përballë presioneve nga jashtë, protestave nga brenda dhe opinionit qytetar. /Pamfleti

 

Lini një Përgjigje