TAGS-AT E JAVËS

Politike26 Shkurt 2026, 16:34

Prapaskenat: Çfarë fsheh Edi Rama në luftën që i shpalli SPAK-ut

Shkruar nga Pamfleti
Prapaskenat: Çfarë fsheh Edi Rama në luftën që i
Edi Rama /

Debate të brendshme për ndryshimet në qeveri dhe mbrojtjen e ministrave nën hetim zbulojnë tensione në mazhorancë...

Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së janë shfaqur kundërshtime ndaj qasjes së Edi Ramës për ndryshimet në qeveri dhe përballjen me drejtësinë. Disa deputetë kanë kërkuar konsultim me forumet e partisë dhe mbështetje politike për ministrat nën hetim, ndërsa të tjerë kanë denoncuar kufizimin e daljeve publike pa leje. Përplasjet e brendshme tregojnë një mazhorancë më pak kompakte, në një moment presioni të shtuar politik dhe institucional.

Edi Rama tentoi të shfaqet si udhëheqës i fortë përballë një drejtësie që e ka rrethuar, së bashku me presionin ndërkombëtar. Në realitet, ajo që u pa ishte dobësia e tij politike.

Dobësia u evidentua nga fakti se ai duket i detyruar të ndjekë një plan të vetëm, jo atë që kishte ndërtuar më herët, ku sakrifikonte bashkëpunëtorë për të mbrojtur veten.

Një tjetër shenjë e kësaj dobësie është mungesa e kompaktësisë në grupin parlamentar të PS-së. Sipas informacioneve, në mbledhjen e grupit ka pasur kundërshtime dhe përplasje për qasjen politike të kryeministrit.

Disa deputetë kanë theksuar se nuk janë thjesht kartona votimi, por përfaqësues të Partisë Socialiste dhe të elektoratit.

Plani i Ramës për të bërë ndryshime në qeveri, duke futur figura nga kabineti i tij në poste ministrore, ka hasur rezistencë. Disa deputetë kanë kërkuar që çdo ndryshim ligjor apo emërim ministrash të rinj të konsultohet me forumet e PS-së dhe me grupin parlamentar.

I informuar nga Taulant Balla për zërat kritikë, Rama ka zgjedhur të shfaqet më i butë dhe i hapur ndaj vërejtjeve, qëndrim që e artikuloi edhe publikisht.

Nga ana tjetër, një grup deputetësh, përfshirë përfaqësues të rinj në Kuvend, kanë ngritur shqetësimin se zyrtarët e PS-së nuk duhet të lihen pa mbështetje përballë sulmeve të opozitës.

Një deputete, sipas burimeve, ka deklaruar se nëse partia vendos të mos e mbrojë institucionalisht një ministër nën hetim, duhet të mbajë të paktën një qëndrim politik në mbështetje të tij. Ajo ka theksuar se edhe kur drejtësia vepron, mazhoranca nuk duhet të lërë vetëm figurat e saj.

Disa deputetë kanë shprehur shqetësimin për perceptimin në bazë, duke thënë se elektorati ndjehet i pasigurt dhe pyet nëse PS është në pozicion force apo dobësie.

Në një atmosferë të tensionuar, Rama ka kritikuar ministra dhe deputetë që nuk dalin publikisht për të mbrojtur qeverisjen, si në Kuvend ashtu edhe në media.

Reagimi ka qenë i menjëhershëm. Disa deputetë i kanë kujtuar se ekziston një udhëzim i brendshëm që ndalon daljet publike pa miratim nga drejtimi. Është përmendur se deputetë që kanë folur pa autorizim janë ndëshkuar dhe disa nuk janë më pjesë e grupit parlamentar./Pamfleti             


                                                          

edi rama spak lufta ndaj drejtësisë prapaskenat

Lini një Përgjigje