Prokuroria ka paraqitur në gjykatë të dhëna mbi lëvizje të dyshuara financiare, burime të ardhurash dhe pasuri që, sipas saj, nuk përputhen me deklarimet zyrtare, duke ngritur dyshime për pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Gjykata e Posaçme pritet që javën e ardhme të vendosë nëse do të kalojë apo jo për gjykim dosja ndaj ish-presidentit Ilir Meta, ish-bashkëshortes së tij dhe të akuzuarve të tjerë. Pas disa muajsh zvarritje dhe përplasja në seancë, sot avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani ka mbyllur parashtrimet dhe seanca e radhës u la për në datën 5 mars, ku pritet që gjyqtarja Irena Gjoka të vendosë nëse dosja do të kalojë apo jo për gjykim.
Mësohet se Monika Kryemadhi ka kërkuar pushimin e hetimeve. Pas mbylljes së seancës, ajo foli për mediat, ku tentoi të nxjerrë të alrë veten. Kryemadhi u shpreh se në 240 faqe akuzë pjesa më e madhe janë fokusuar te ajo, dhe vetëm 35 faqe janë për ish-bashkëshortin e saj Ilir Meta.
“Në 240 faqe akuzë që janë paraqitur 35 janë për CEZ-DIA-n për Ilir Metën dhe gjithë pjesa tjetër është e detajuar dhe është fokusuar te unë”, tha Kryemadhi
Po ashtu detaje dha dhe avokati i Metës, Kujtim Cakrani. Ai tha se për dosjen CEZ-DIA kanë kërkuar të pushohen hetimet, ndërsa për akuzën se Meta me Kryemadhin kanë ndikuar te ligji i minierave, ai ka kërkuar të pyetet kryeministri Rama.
“Përsa i përket çështjes ÇEZ-DIA-s, ne kemi kërkuar pushimin e çështjes sepse fakti nuk ekziston. Pra fakti për të cilin akuzohet zoti Meta, nuk provohet që ta ketë kryer zoti Meta. E para, dhe kemi kërkuar pushimin. Përsa i përket lobimit, të çështjes së lobimit, kemi kërkuar kthimin e akteve për rihetim, sepse nuk janë pyetur persona të cilët janë kryesorë dhe përmenden aty 330 herë përmendet zoti Shatku, Ardian Shatku, dhe nuk është thirrur qoftë me telefon që të vijë të dëshmojë këtu para prokurorisë, por edhe me letër-porosi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ashtu siç procedohet për të gjithë personat të cilët SPAK-u nuk mundet të arrijë t'i pyesi përpara. Dhe gjithashtu kemi kërkuar për çështjen e ligjit të minerave ku akuzohet zonja Kryemadhi dhe zoti Meta si bashkëpunëtorë në ligjin e minerave, kemi kërkuar që çështja të kthehet dhe të pyeten të gjithë 73 deputetët, të pyetet kryeministri zoti Rama që e ka mbrojtur këtë ligj përpara Kuvendit të Shqipërisë dhe ju tha, më dëgjoni me kujdes”, tha Caklrani.
Në 5 shkurt ishte Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar që mbylli parashtrimet në gjyqin paraprak ndaj ish-Presidentit Ilir Meta dhe katër të pandehurve të tjerë.
Prokurori i çështjes, Sotir Kllapi, i kërkoi gjykatës paraprake që dosja penale të kalojë për gjykim themeli, duke vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore për vijimin e procesit ndaj pesë të akuzuarve, të cilët përballen me akuza të rënda për korrupsion dhe pastrim parash.
Sipas SPAK, hetimi është mbështetur në një volum të konsiderueshëm provash dokumentare, përfshirë letërporosi të ardhura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të lidhura me çështjen e lobimit, si dhe analiza të detajuara të transaksioneve financiare dhe bilanceve ekonomike të personave nën hetim.
Prokuroria ka paraqitur në gjykatë të dhëna mbi lëvizje të dyshuara financiare, burime të ardhurash dhe pasuri që, sipas saj, nuk përputhen me deklarimet zyrtare, duke ngritur dyshime për pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Në këtë procedim penal janë marrë të pandehur edhe ish-bashkëshortja e Metës, Monika Kryemadhi, nëna e saj Fatime Kryemadhi, si dhe Pirro Xhixho dhe Ema Çoku. Hetimi ka nisur në vitin 2019 dhe është zgjeruar në vitet pasuese mbi bazën e disa kallëzimeve penale, të cilat gjatë vitit 2024 janë bashkuar në një procedim të vetëm.
Sipas akuzës, Ilir Meta dyshohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë në tre episode të ndryshme, dy prej tyre në bashkëpunim, si dhe për pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie. Monika Kryemadhi akuzohet për korrupsion pasiv në dy raste, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Pirro Xhixho përballet me akuzën e korrupsionit pasiv të kryer në bashkëpunim, ndërsa Fatime Kryemadhi dhe Ema Çoku akuzohen për pastrim parash.
SPAK pretendon se hetimet kanë zbuluar një skemë përfitimi financiar, ku Meta dhe Kryemadhi, duke shfrytëzuar pushtetin dhe influencën politike, kanë favorizuar biznese të caktuara në këmbim të përfitimeve monetare. Sipas Prokurorisë, episodet e dokumentuara tregojnë bashkëpunim të vazhdueshëm mes pesë të pandehurve në rastet e korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Për ndërtimin e dosjes, SPAK ka bashkëpunuar me autoritete ligjzbatuese dhe financiare në disa shtete, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Austrinë, Italinë, San Marinon dhe Qipron.
Lini një Përgjigje