
Ish-deputeti deklaron se gjykatat kanë vendosur në favor të tij në disa procese gjyqësore dhe paralajmëron vijimin e ndjekjes së çështjeve në institucionet e drejtësisë dhe ato zgjedhore...
Ish-deputeti Lefter Maliqi përmes një postimi në rrjetet sociale shpreh vlerësim për Gjykatën dhe Prokurorinë e Beratit, duke i cilësuar si institucione që kanë treguar paanshmëri, profesionalizëm dhe ndershmëri gjatë shqyrtimit të çështjeve gjyqësore.
Ai njofton se pas 3 vitesh procesesh gjyqësore, ka fituar 5 padi të ngritura ndaj tij nga Salillari dhe Kreshnik Hajdari. Ai e konsideron këtë një fitore morale, mediatike, politike dhe pjesërisht ligjore.
Në deklaratën e tij, Maliqi thekson se beteja ligjore nuk ka përfunduar dhe se do të vijojë në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si edhe pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe Kolegjit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS).
Ai shton se ka marrë vendime në favor të tij edhe në Gjykatën Administrative të Tiranës, Gjykatën e Lartë dhe në KAS.
Në të njëjtën deklaratë, Maliqi formulon akuza ndaj kryebashkiakut të Kuçovës, Kreshnik Hajdari, duke pretenduar se ai ka kryer abuzime me fondet publike dhe kërkon pavlefshmërinë e mandatit të tij, shkarkimin nga detyra dhe ndëshkimin ligjor. Ai përmend gjithashtu projekte që, sipas tij, kanë një vlerë prej mbi 6 milionë eurosh, duke përmendur "Sineci" dhe "Viola Green".
Postimi nga Maliqi
Vlerësim maksimal për Gjykatën dhe Prokurorinë e Beratit për gjykim të drejtë, për paanshmëri, profesionalizëm dhe ndershmëri!
Sot, pas 3 vitesh, fitoj të 5 paditë kundra meje nga Salillari dhe Hajdari në krye të Bashkisë së grabitur të Kuçovës dhe 1 padi në Gjykatën e Tiranës!
Betejë morale, mediatike, politike e kemi fituar, ndërsa beteja ligjore, e fituar mbi 50%, do vazhdojë në SPAK, në Gjykatën e Posaçme pranë SPAK, në KQZ dhe KAS. Betejë kemi fituar edhe në Gjykatën Administrative Tiranë dhe Gjykatën e Lartë, si dhe në KAS!
Asnjë hap pas në mbrojtje të votës dhe deri në ndëshkimin ligjor, jo vetëm të pavlefshmërisë së mandatit dhe shkarkimit të Hajdarit, i cili mbrohet me lobingje ende nga avokatë, oligarkë e politikanë, dhe ju siguroj që drejtësia do vihet në vend për të dënuarin, të paaftin, abuzuesin Hajdari dhe do përgjigjet për abuzimet me taksat e qytetarëve të Kuçovës, miliona euro, ku vetëm Sineci e “Viola Green” kalojnë mbi 6 Milion Euro!
Drejtësi, Ligj, Zot, ndëshkim!
Lini një Përgjigje