Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve është shoqëruar me debate, ku në fokus ka qenë protesta e mijëra qytetarëve, të cilët prej 26 ditësh kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, u shpreh se kryeministri është i përqendruar te protestuesit, ndërsa iu drejtua deputetëve të mazhorancës duke thënë se atyre u është caktuar detyra për t’i sulmuar.
Zhupa u bëri gjithashtu thirrje socialistëve që të marrin në konsideratë kërkesat e protestuesve, duke deklaruar se qytetarët janë kundër tyre.
“Është e turpshme të fabrikoni prova për të sulmuar protestuesit. Kryeministri merret me protestuesit, ndërsa juve ju është ndarë detyra t’i sulmoni ata. Por protestuesit ju përbuzin dhe ju urrejnë masivisht.
Ju harroni ose bëni sikur harroni se protesta nuk ka 2, 3 apo 10 protestues, siç mendoni ju se po sulmoni. Protesta përfaqëson mijëra qytetarë dhe, po e përsëris, ata ju urrejnë.
E vetmja rrugë për ju është të merrni në konsideratë kërkesat e tyre. Nuk keni rrugë tjetër.
Ne nuk kemi nevojë të marrim leje për të përfaqësuar qytetarët, sepse kjo nuk ka nevojë për shpallje. Ne e bëjmë këtë çdo ditë dhe e bëjmë me nisma konkrete. Ky është ndryshimi mes nesh dhe jush: ne jemi me qytetarët, ndërsa ju jeni me karrigen”, mësohet të ketë thënë Ina Zhupa.
Lini një Përgjigje