TAGS-AT E JAVËS

Politike12 Mars 2026, 11:21

Rrëzohet SPAK, Kuvendi nuk miraton kërkesën për arrestimin e Belinda Ballukut

Shkruar nga Pamfleti

Rrëzohet SPAK, Kuvendi nuk miraton kërkesën për arrestimin e

Prokuroria Speciale kërkoi në Kuvend autorizimin për arrestimin e Belinda Ballukut, ndërsa kërkesa qëndroi në Kuvend për rreth 3 muaj, deri në seancën e sotme, kur u vendos që të mos miratohej autorizimi për arrestimin e ish-zv.Kryeministres...

Kuvendi rrëzoi kërkesën e SPAK për arrestimin e deputetes Belinda Balluku. Kundër kërkesës, me votim të hapur elektronik, votuan 82 deputetë, ndërsa pro kërkesës votuan 47 deputetë të opozitës.

Të pranishëm në seancë ishin 129 deputetë, ndërsa menjëherë pas votimit, deputetë të opozitës nisën protestën në sallën e Parlamentit, duke i rënë tavolinave. Kjo ka krijuar një situatë kaosi në Kuvend, ndërsa kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, kërkoi që Kuvendi të vijojë me votimin e projektligjeve në rendin e ditës, duke shmangur diskutimet.

Deputetë të opozitës kanë zaptuar foltoren e Kuvendit, në një formë proteste, kundër qëndrimit të deputetëve të PS-së, që ashtu sikundër kishin deklaruar votuan kundër kërkesës së SPAK-ut.

Seanca, e cila konsiderohej si më e rëndësishmja për sesionin parlamentar që nisi punimet në mesin e janarit, ka zgjatur më pak se 90 minuta, ndërsa për më shumë se 1 orë, u paraqitën raportet e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve, ku pozita dhe opozita nuk arritën të dakordësoheshin.

Ndërkohë që Kuvendi votonte lidhur me kërkesën e SPAK, mbështetës të opozitës, ishin mbledhur para Parlamentit, në një protestë që përtej paralajmërimeve nuk u karakterizua nga incidente apo përplasje. 

Prokuroria Speciale kërkoi në Kuvend autorizimin për arrestimin e Belinda Ballukut, ndërsa kërkesa qëndroi në Kuvend për rreth 3 muaj, deri në seancën e sotme, kur u vendos që të mos miratohej autorizimi për arrestimin e ish-zv.Kryeministres.

Argumentet kryesore që socialistët përdorën për të rrëzuar kërkesën e SPAK ishin ato se Balluku ka respektuar masën fillestare të sigurisë, atë të “ndalimit për të dalë jashtë vendit” dhe se ajo nuk akuzohej për korrupsion, por për shkelje të barazisë në tendera, një vepër penale që mund të dënohet edhe me gjobë. Për socialistët, Kuvendi duhet të shërbejë si një filtër lidhur me kërkesën e SPAK, por duhet të respektojë Kushtetutën.

"Raporti ynë e qartëson edhe narrativën mbi të cilën prokuroria ka ndërtuar kërkesën për aplikimin e masave. Ky raport përfaqëson një përgjegjësi të drejtpërdrejtë Kushtetuese. Është një detyrim ndaj qytetarëve shqiptarë.

Në një situatë kur kjo çështje që në thelb duhet të mbetet çështje e drejtësisë është shndërruar në një debat të mbingarkuar politikisht në sytë e qytetarëve shqiptarë. Shpesh kemi parë për ta zhvendosur këtë çështje në një gjykim publik që bie ndesh me standardet. Dhe sot është e domosdoshme që Kuvendit të flasë qartë, të ndajë politikën nga drejtësia zhurmën nga faktet.

Ne sot jemi përballë një vendimmarrje që prek drejtpërsëdrejti balancën ndërmjet pushteteve. Kërkesa e prokurorisë së posaçme synon zëvendësimin e masës së ndalimit të daljes jashtë shtetit me një masë më të rëndë, atë të arrestit ndaj deputetes së Belinda Balluku.

Kuvendi sot nuk ka kompetencë të gjykojë fajësinë, Jemi sot për të bërë një filtër Kushtetues dhe ky filtër nuk mund të jetë formal, por për ruajtjen e balancës”, tha Manja.

Përpara se deputeti socialist të lexonte raportin e mazhorancës, ishte demokrati Oerd Bylykbashi që paraqiti qëndrimin në emër të opozitës. Bylykbashi tha se opozita mbështet kërkesën e SPAK-ut.

"Komisioni i Venecias ka mbajtur qëndrim dhe ka krijuar standardin që imuniteti duhet të hiqet në të gjitha rastet kur nuk ka asnjë arsye për të dyshuar se akuzat janë të motivuara politikisht.

Imuniteti nuk mundet dhe nuk duhet që të shndërrohet në mburojë apo si pengesë për drejtësinë, nëse pranohet e kundërta, çdo akt i prodhuar është i pavlefshëm sepse në mënyrë të dukshëm kuvendi tejkalon kompetencën e tij dhe uzurpon kompetencën gjyqësore.

Nëse Kuvendi do të vlerësonte se një masa e caktuar sigurimi është ne përshtatshme se një tjetër, kjo do përbënte ndërhyrje në kompetencat e gjyqësorit dhe në hetimin penal.

Kuvendi nuk është ftuar për të caktuar një masë sigurimi se nuk është kompetencë e tij. Kuvendi i është kërkuar autorizim nga SPAK që ajo ti ketë mundësi ti drejtohet gjykatës për caktimin e masës së sigurimit.

Imuniteti duhet të hiqet se nuk ka asnjë pretendim apo arsyet se akuzat ndaj Ballukut, janë të motivuara politikisht, madje dhe vetë ajo e konfirmoi në seancën e këshillit, provohet dyshimi i bazuar në prova, se ekziston dyshimi dhe ai bazohet në një set provash, provohet rreziku për procedimin penal, SPAK tregoi qartë se ekziston rreziku për prishjen e provave të procedimit penal, nga deputetja Balluku.

Është përpjekur të ushtrojë përmes dëshmitarëve përmes të fortëve, të cilët Prokuroria deklaroi po verifikohet nëse janë të përfshirë në veprimtari të krimit të organizuar”, tha Bylykbashi.

 

 

 

kuvendi votimi balluku

1 Komente

  1. A
    Alban

    Deputet e opozites nuk duhet ti linin legenat e rames te votonin,sbene asgje,krejt kot

    Lini një Përgjigje