
Deputeti i Partisë Demokratike Klevis Balliu ka folur sot në protestën para Kuvendit. Ai nuk është pjesë e seancës parlamentare për shkak të përjashtimit me 10 ditë nga punimet e Parlamentit.
Nga protesta e zhvilluar para godinës së Kuvendit, Balliu iu drejtua efektivëve të policisë me një thirrje për t’u bashkuar me qytetarët, duke deklaruar se një polici që mbron pushtetarët e korruptuar nuk i shërben shtetit.
Gjatë fjalës së tij, deputeti demokrat akuzoi qeverinë për korrupsion dhe për largimin e një numri të madh qytetarësh nga vendi gjatë viteve të fundit. Sipas deputetit, ndryshimi i situatës kërkon largimin e qeverisë aktuale.
“Një polici që i shërben hajdutëve është polici e pushtetit, jo e shtetit. Bashkohuni me qytetarët për të drejtat tuaja dhe familjet tuaja", tha Klevis Balliu.
Balliu gjithashtu kritikoi përpjekjet për të justifikuar vendime që ai i cilësoi si kërcënim për pavarësinë e drejtësisë dhe për sigurinë e dëshmitarëve.
Në fund të deklaratës, ai theksoi se opozita do të vijojë protestat dhe se nuk do të ketë tërheqje deri në arritjen e asaj që e quajti “fitore të drejtësisë”.
Lini një Përgjigje