
Kryeministri Edi Rama ka vijuar me “thumbat” ndaj drejtësisë. Ai ka zbuluar se shteti shqiptar është shpallur fajtor nga Gjykata e Apelit, duke e detyruar të paguajë 500 mijë eurosh për një aksident automobilistik të ndodhur tetë vite më parë, pavarësisht se në ngjarje nuk pati as viktima dhe as të plagosur.
Deklarata u bë gjatë fjalimit të fitores së Partisë Socialiste, ku Rama ndaloi për pak çaste edhe tek sistemi gjyqësor dhe sfidat që ai paraqet për shtetin dhe qytetarët.
“Shtetit i është kërkuar të paguajë 500 mijë euro për një përplasje me makinë, ku nuk ka pasur as të vdekur e as të plagosur. Vendimi është marrë brenda një dite. Ne nuk japim dot drejtësi për shumë shqiptarë që enden për drejtësi dhe as për shtetin nuk i korrigjojmë dot gafat që ndodhin në sallat e gjyqeve”, tha Rama.
Kryeministri e cilësoi këtë rast si një nga shembujt e vendimeve të papritura që mund të prodhojë një sistem drejtësie që funksionon i pavarur, pa ndërhyrje politike. Ai theksoi se qeveria nuk ka asnjë ndikim mbi gjyqësorin dhe nuk ka në dorë fatin e askujt pas dyerve të sistemit të drejtësisë.
Megjithatë, Rama theksoi se qeveria do të vijojë të udhëheqë me forcën e shembullit, duke respektuar ligjin dhe duke qenë mburojë e pavarësisë së institucioneve të drejtësisë.
“Ne kemi në dorë që të jemi sa më të drejtë ne dhe të jemi mburojë e pathyeshme e pavarësisë së institucioneve të drejtësisë, duke nisur nga SPAK, të cilin do të vijojmë ta mbështesim pa ekuivok”, u shpreh Rama.
Lini një Përgjigje