TAGS-AT E JAVËS

Politike 5 Nëntor 2025, 16:35

"Rama po tenton të mashtrojë pensionistët", Qori: Rritja, vetëm për një pakicë

Shkruar nga Pamfleti

"Rama po tenton të mashtrojë pensionistët", Qori:

Kryeministri Rama njoftoi se nga 1 janari do të rriten pensionet për të gjithë qytetarët, ku shtesë do të përfitojnë pensionet e pleqërisë, të invaliditetit dhe ato familjare.

Kreu i partisë ‘Lëvizja Bashkë’ Arlind Qori tha se pensionet në Shqipëri janë të ulëta. Ai u shpreh se çdo premtim i Ramës është manipulim, ndërsa theksoi se kjo rritje bëhet vetëm për atë pakicë që i kanë pensionet e larta.

“Kjo ishte një tentativë e Ramës për t’i hedhur hi syve pensionistëve. Në 2026 praktikisht rritja e pensionit do të jetë një 2 mijë lekësh të vjetra në muaj. Sipas ligjit marrin pension të plotë vetëm ata që kanë 38 vite punë dhe në Shqipëri vetëm një pakicë kanë 38 vite pune të siguruara, të gjithë të tjerët nuk kanë as gjysmat e atyre viteve pune. Dhe qeveria premton rritje për atë pakicë që i kanë të larta pensionet.

Pra ata që do të marrim më shumë janë ata që kanë pension më të lartë. Ata të tjerët do të marrin një rritje më të ulët pensioni. Pra kjo është e kundërta e bonusit, pasi bonusi i jepte më shumë para atyre që kishin pensione të ulëta dhe më pak atyre që i kishin të larta. Rama në fushatë tha se pensioni minimal do të shkojë 200 mijë lekë dhe tani Rama refuzon që të flas për pensionin minimal që është pensioni që marrin shumica e pensionistëve në Shqipëri. Çdo gjë që premton Rama është manipulim”, tha ai.

Qori u shpreh se pensionet në Shqipëri janë të ulëta dhe nuk i mjaftojnë një pensionisti për të jetuar.

“Informaliteti në punë është një plagë e hapur që vazhdon që të jetë e thellë. Unë e se di se çfarë ka bërë Rama në këto vite për këtë. Por në Shqipëri pensionet janë të ulëta, ku ndër faktorët ndikon emigracioni, si edhe informaliteti. Ne kemi pension mesatar 180 euro, që praktikisht aq lekë nuk të dalin për të ngrënë bukë. Ndërkohë që duhet të ishte diku 220 euro. Rritja në varësi të kategorisë së pensionistëve do të jetë 5 deri në 8 për qind, gjë që është qesharake, ti thuash një pensionisti do të jap në muaj 6 ose 7 mijë lekë të vjetra në muaj. Nëse pensionistët që marrin sot pension minimal, nëse s’do të kishin familjarët që do ti ndihmonin do të ishin duke lypur në rrugë”, tha ai për “Report Tv”.

 

Lini një Përgjigje