TAGS-AT E JAVËS

Politike 5 Nëntor 2025, 16:25

Nga komisioni hetimor për IPARD te shtyrja e buxhetit, debate në Konferencën e Kryetarëve

Shkruar nga Pamfleti

Nga komisioni hetimor për IPARD te shtyrja e buxhetit, debate në

Mbledhja e Konferencës së Kryetarëve në Kuvend u shoqërua sot me debate të ashpra mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës. Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, kërkoi ngritjen urgjente të një Komisioni Hetimor Parlamentar për vjedhjen e fondeve IPARD të Bashkimit Europian, ndërsa përplasja me Taulant Ballën degjeneroi në akuza të drejtpërdrejta për mbrojtje të aferave qeveritare.

Sipas Blushit, fermerët shqiptarë po ndëshkohen për shkak të abuzimeve me fondet e BE-së, që sipas tij janë përvetësuar nga familjarë dhe klientë të qeverisë Rama. Ai theksoi se vetëm për dy vite, Shqipëria ka humbur mbi 224 milionë euro ndihma, ndërkohë që bujqësia po përjeton kolaps financiar.

Hetimi i vjedhjes së fondeve IPARD është emergjencë kombëtare. Fermerët humbin çdo vit 112 milionë euro ndihma nga BE vetëm sepse ato përfundojnë te inceneratorët dhe familjarët e qeverisë. SPAK nuk ka vullnet të hetojë sepse kjo aferë çon drejt vetë Ramës. Nëse as drejtësia nuk reagon, Kuvendi duhet të zbulojë kush ua vodhi ndihmat fermerëve”, deklaroi Blushi.

Ai akuzoi drejtpërdrejt ministrin e Brendshëm, Taulant Balla, për pengimin e ngritjes së komisionit hetimor; sipas tij, kjo është një shkelje e hapur e Kushtetutës dhe një përpjekje për të fshehur një aferë me pasoja kriminale.

Ndërkohë, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, kërkoi që shqyrtimi i projektbuxhetit të shtetit të shtyhet për javën tjetër, derisa të vijë në Kuvend edhe paketa fiskale. Bardhi argumentoi se miratimi i buxhetit pa paketën financiare përbën shkelje të rregullores dhe praktikave parlamentare.

Nuk mund të votojmë buxhetin pa paketën fiskale. Ky Kuvend s’e ka bërë asnjëherë një gjë të tillë. Ministri i Financave tha vetë se paketa vjen javën tjetër. Atëherë, le ta shqyrtojmë bashkë javën tjetër, siç e kërkon Kushtetuta”, u shpreh Bardhi.

Mbledhja u mbyll pa vendim për Komisionin Hetimor, ndërsa debatet pritet të rikthehen në seancën plenare të nesërme.

Lini një Përgjigje