Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka ngritur shqetësime lidhur me problematikat infrastrukturore në kryeqytet, konkretisht për gjendjen e rrugës në zonën e Selitës.
Në një postim në rrjete sociale, Braçe ka publikuar një video ku tregon gjendjen e amortizuar të rrugës, e cila paraqitet me gropa të shumta. Ai thekson se situata përkeqësohet gjatë orareve të pikut, duke shkaktuar radhë të gjata trafiku.
Deputeti i bën thirrje Bashkisë së Tiranës që të ndërhyjë për përmirësimin e infrastrukturës, duke theksuar se kjo është një detyrim institucional.
"Tirana/5sa
Ne #territor, si deputet i 5-ës
Tre javë më pas, gropa në rrugën nga ura e ish NSHRAK për në Selitë, është këtu dhe më e madhe!
Ore e bëni për inat se e pashë unë apo çfarë?
Hajdeni e mbylleni gropën e çdo grope këtu e rrugën në anë se e keni punë, puuuuuuneeeee!", shkruan Braçe.
Tre ditë më parë, Erion Braçe nuk u lejua të merrte pjesë në mbledhjen e Asamblesë së PS-së njësia 5, atje ku ligjvënësi socialist jo vetëm mori mandatin në zgjedhjet e 11 majit, por është edhe një nga drejtuesit politik të kësaj njësie.
Braçe u pengua të merrte pjesë në takim nga Garda, që nuk e lejoi deputetin të hynte në sallë, gjë që solli edhe reagimin e tij në rrjetet sociale, me disa kritika ndaj Kryeministrit, njëherazi edhe kryetar i PS-së, Edi Rama.
Pak javë më parë, Braçe është vetëofruar si kandidaturë e PS-së për Bashkinë e Tiranës, ndërsa ka kërkuar një process të rregullt zgjedhjeje brenda partisë së tij. Në anën tjetër, Rama duket se po i qëndron piketimit të Ogerta Manastirliut si kandidaturën zyrtare të socialistëve në zgjedhjet që do të mbahen pranverën e 2027-ës.
Manastirliu gjithashtu është edhe drejtuese politike e PS-së për Tiranën, ndërsa ajo nuk u përfshi në kabinetin qeveritar me argumentin se do të garonte për Bashkinë.
Lini një Përgjigje