TAGS-AT E JAVËS

Politike 5 Qershor 2024, 13:37

Rama mburret para Melonit: Ne nuk ia kthejmë shpinën Italisë, vendet e NATO-s braktisën afganët

Shkruar nga Pamfleti

Rama mburret para Melonit: Ne nuk ia kthejmë shpinën Italisë,

Kryeministri Edi Rama gjatë një konference të përbashkët me homologen italiane Giorgia Meloni nga kampi në Gjadër, ka komentuar investigimin e “RAI 3”.

Sipas tij, marrëveshja demokratike për emigrantët u shndërrua në një abuzim të pushtetit të katërt në kurriz të shqiptarëve dhe popullit italian. Rama tha se lidhur me këtë marrëveshje u hodh baltë ndaj Shqipërisë, por theksoi se Shqipëria nuk do t’i kthejë asnjëherë ‘kurrizin’ Italisë.

Ai u shpreh se qëllimi i tyre ishte të sulmojnë marrëveshjen mes dy qeverive. Teksa solli në vëmendje emigrantët afganë që erdhën në Shqipëri, Rama tha se jemi krenarë që mund të japim ndihmën tonë pasi shpëtuan nga vdekja emigrantët afganë, të cilët nuk u pranuan nga asnjë vend anëtar i NATO-s.

“Shpreh trishtim për gjysmë të vërtetash që janë thënë në mediat italiane mbi Shqipërinë. Me qëllimin fare të qartë për të sulmuar marrëveshjen mes dy qeverive. Duhet të kenë turp, të gjithë ata që të drejtën demokratikë të kësaj marrëveshje e kanë shndërruar në abuzim të pushtetit të katërt dhe kjo në kurriz të Shqiptareve dhe popullit italian.

Falënderoj të gjithë ata që kanë treguar solidaritetin ndaj nesh. Kam marrë mesazhe nga miqtë në Itali, kundrejt atij lumi balti ndaj vendit tonë, qeverisë tonë që mund të ketë çdo mëkat, por kurrë nuk ka pasur mëkat mbi krimin.

Diku disa qindra metra nga këto në një hotel të madh jeton me shpenzimet tona jeton një komunitet afganësh. Janë 350 njerëz që i janë larguar vdekjes.

Për gjithë Evropën jemi krenarë që mund të japim ndihmën tonë jo si Evropianë brenda BE, por si evropianë me BE.

Qeveria nuk ka njohur paqe në luftën ndaj krimit dhe nuk ka kthyer kurrë kurrizin ndaj Italisë dhe vendeve mike. Këtu pranë jeton një komunitet afgan, njerëz që janë larguar nga vdekja pas rënies së Kabulit, njerëz që nuk janë pranuar nga asnjë vend anëtar i NATO-s. Vetëm një pjesë e tyre shkuan në SHBA.

Disa gazetarë investigativë vijnë këtu dhe nuk shikojnë afganët, nuk shohin qindra emigrantë që kanë ikur nga vdekja, por shohin shpirtra të kriminalitetit, që ekzistojnë në mendjet e tyre kur paguajnë biletat për të ardhur në Shqipëri, për të informuar publikun me shkrime që janë parapërgatitur. Unë jam krenar për Shqipërinë që mund t’i shërbej Italisë”, u shpreh kryeministri.

Lini një Përgjigje