Pasi Shqipëria u zhyt në ujë në ditët e para të janarit, kryeministri Edi Rama është kujtuar për pastrimin e kanaleve kulluese. Ndonëse në muajin e fundit kishte informacione të vazhdueshëm nga agjensi ndërkombëtare për valën e motit të keq që do përfshintë vendin, përmbytjet treguan se nuk kishte marrë asnjë masë parandaluese dhe institucionet në nivel lokal dhe qendror u treguan të papërgatitura.
Teksa ka komentuar situatën e përmbytjeve në takimin me kryebashkiakët, Rama njoftoi ngritjen e një flote të dedikuar për mirëmbajtjen dhe pastrimin e infrastrukturës kulluese.
Ai deklaroi se kjo flotë do të realizohet përmes një fondi prej 20 mln eurosh që vendit tonë i është vënë në dispozicion nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Kryeministri theksoi se kjo flotë mund të përqendrojë më shumë forca diku ku ka një situatë emergjence, dhe bashkitë do të ndihen më të gatshme për të përballuar emergjencën.
“Një tjetër element që ndikon është niveli i rezistencës së infrastrukturës mbrojtëse, kanale, hidrovore. Është rritur në mënyrë domethënëse në 10 vitet e fundit, por analiza e bërë edhe nga kjo emergjencë tregon se ka pika ku rezistenca është më e dobët. Për këtë arsye duhet të vendosim me shumë saktësi piketat për të forcuar më tej infrastrukturën mbrojtëse dhe nga ana tjetër për të adresuar ato aspekte që kanë të bëjnë me fuqizimin e ndërveprimit mes pushtetit vendos dhe institucioneve qendrore.
Një nga gjërat që e ka propozuar ministri Demo dhe që ka gjet mbështetjen tonë është që me një fond të siguruar nga miqtë tanë të Emirateve Arabe prej 20 mln euro në mbështetje të zhvillimit rural, të blejmë një sasi domethënëse mjetesh që të vendosen në shërbim të kullimit, pastrimit kanaleve kulluese kryesore dhe që të funksionojnë sipas nevojave të bashkive.
Kjo flotë mund të përqendrojë më shumë forca diku ku ka një situatë emergjence dhe bashkitë do ndihen më të gatshme për të përballuar emergjencën dhe në ditët e punës normale do jetë flotë e shtuar për të gjitha bashkitë sipas sasisë së kanaleve për tu pastruar dhe mirëmbajtur, sipas nevojës për të adresuar edhe problemin e argjinaturave”, tha Rama.
Lini një Përgjigje