Këshilli i Ministrave miratoi më 26 qershor ngritjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Antikorrupsionit, (DPAK) e cila ka për mision të sigurojë parandalimin e goditjen e korrupsionit në institucionet e administratës shtetërore/entet publike/shoqëritë tregtare me kapital shtetëror.
DPAK do të kryejë hetime administrative, për rastet e dyshuara si praktika abuzive ose korruptive
Një ndër detyrat e saj është dhe kryerja e hetimit administrativ në kuadër të denoncimeve ose ankesave për praktika abuzive, korruptive apo arbitrare për zbatimin e ligjshmërisë, si dhe identifikimin e punonjësve të institucioneve ku DPAK-ja shtrin aktivitetin, të cilët, me veprime apo mosveprime, kanë kryer shkelje të akteve ligjore/nënligjore në fuqi thuhet në vendim
Në rastet e hetimeve të thelluara, mund të kërkojë dhe ndihmën e ekspertëve vendas dhe të jashtëm të cilët duhet të ruajnë sekretin hetimor.
Në rastet e hetimeve të thelluara, për shkak të njohurive të veçanta që kërkon hetimi ose verifikimi i një çështjeje, në grupin e punës së DPAK-së mund të përfshihen edhe ekspertë të administratës shtetërore dhe/ose ekspertë të jashtëm.
Në rastin kur është e nevojshme përfshirja e ekspertëve nga administrata shtetërore, drejtori i Përgjithshëm i DPAK-së paraqet kërkesën pranë institucionit që mbulon fushën përkatëse për vendosjen në dispozicion të ekspertit/ekspertëve, i cili/të cilët kanë kualifikimet e cilësitë e kërkuara për kryerjen e hetimeve.
Titullarët e institucioneve duhet të vendosin në dispozicion ekspertë nga administrata shtetërore, të cilët përmbushin kriteret përkatëse. Ekspertët e administratës shtetërore e ushtrojnë veprimtarinë e tyre nën drejtimin e drejtuesit të grupit të hetimit të thelluar, sipas përcaktimeve të urdhrit të drejtorit të Përgjithshëm të DPAK-së dhe brenda afatit të përcaktuar në këtë urdhër.
Ekspertët e administratës shtetërore dhe ekspertët e jashtëm, të angazhuar në hetime të thelluara sipas përcaktimeve të këtij kreu, nënshkruajnë deklaratë konfidencialiteti" thuhet në pikat 10, 11, 12, 13 të këtij vendimi.
DPAK do të ketë për funksion mbledhjen e informacionit për veprimtaritë korruptive dhe praktikat abuzive nga burime të ndryshme dhe të kryejë hetime administrative, për rastet e dyshuara si praktika abuzive ose korruptive. Në çdo rast, në përfundim të hetimit hartohet raport përfundimtar, i cili i propozohet për miratim drejtorit të Përgjithshëm të DPAK-së.
Në rastet e dyshimit të arsyetueshëm dhe administrimit të provave për praktikën korruptive, kjo drejtori paraqet kallzim penal në prokurori.
Në varësi të kryeministrit
Struktura dhe organika e DPAK-së miratohen me urdhër të Kryeministrit. Drejtori do të jetë në varësi të ministrit përgjegjës për antikorrupsionin, në rolin e Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit. Përgjigjet para tij dhe kryeministrit.
Drejtori i Përgjithshëm emërohet, lirohet dhe shkarkohet nga Këshilli i Ministrave, me propozim të ministrit. Ndër kriteret e përzgjedhjes së kandidatit për drejtor është dhe fakti që duhet të jetë shtetas shqiptar s'duhet të jetë i angazhuar në funksione drejtuese partiake të paktën 5 (pesë) vitet e fundit para emërimit dhe as të ketë konflikt interesi.
Koordinator në çdo institucion
Vendimi parashikon po ashtu edhe institucionet, entet publike dhe shoqëritë tregtare me kapital shtetëror, ku krijohet pozicioni i koordinatorit kundër korrupsionit. Janë 26 institucione mes tyre dhe spitale, agjenci e drejtori. Kjo strukturë do të shtrijë veprimtarinë në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe ka një sërë kompetencash.
DPAK-ja bashkëpunon me Agjencinë për Dialog dhe Bashkëqeverisje dhe çdo platformë tjetër të ankesave publike on-line. Po ashtu, bashkëpunon e merr informacion nga njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe kryen të gjithë procedurën e hetimit administrativ të përcaktuar në këtë vendim për raste korruptive.
Lini një Përgjigje