TAGS-AT E JAVËS

Politike29 Maj 2026, 19:52

“Rama autokrat i Shqipërisë, Berisha i opozitës”, Salianji: S’mund të pranojmë që në PD të grabiten zgjedhjet!

Shkruar nga Pamfleti
“Rama autokrat i Shqipërisë, Berisha i opozitës”,
Ervin Salianji

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka hedhur akuza të forta ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar bilancin e saj si një model të “korrupsionit të sofistifikuar”, ndërsa paralelisht ka kërkuar ndryshime të thella edhe brenda vetë opozitës.

Gjatë një takimi të zhvilluar me qytetarët në Tiranë, Salianji tha se Shqipëria po përballet me pasojat e një qeverisjeje që, sipas tij, ka përqendruar pushtetin dhe vendimmarrjen në duart e një grupi të vogël njerëzish, duke lënë në plan të dytë interesin publik.

“Bilanci i qeverisjes së Ramës është korrupsion i sofistifikuar”, u shpreh ai, duke argumentuar se problemet ekonomike, largimi i qytetarëve nga vendi dhe mosfunksionimi i institucioneve janë tregues të një modeli qeverisës që ka humbur kontaktin me nevojat reale të shqiptarëve.

Në fjalën e tij, Salianji nuk u ndal vetëm te kritikat ndaj mazhorancës, por adresoi edhe problematikat që, sipas tij, kanë shoqëruar Partinë Demokratike gjatë viteve të fundit. Ai deklaroi se forca më e madhe opozitare ka humbur terren jo vetëm përballë kundërshtarëve politikë, por edhe për shkak të largimit nga parimet dhe standardet demokratike që e ngritën atë si një alternativë qeverisëse.

Sipas tij, shumë demokratë janë përjashtuar nga proceset vendimmarrëse dhe nuk kanë pasur mundësi të japin kontributin e tyre në parti, ndërsa profesionistë dhe figura me eksperiencë nuk e gjejnë më hapësirën e nevojshme për t'u angazhuar.

"Rama nuk mban përgjegjësi sepse i vjedh zgjedhjet dhe ne nuk arrijmë si Parti Demokratike që të çojmë thuajse 800 mijë fitues në kutitë e votimit që të tejkalojmë numrin e votave që Edi Rama vjedh.

Sepse siç e patë të nderuar miq, ne pa krijuar epërsi morale nuk mund t’i bindim dot qytetarët shqiptarë. Nëse Edi Rama vjedh zgjedhjet, ne nuk mund të lejojmë që në PD të grabiten zgjedhjet, të vidhen zgjedhjet, të mos bëhen zgjedhje. Nëse Edi Rama, të nderuar miq, para 12-13 vitesh tha ‘rilindje’, ne nuk mund të pranojmë sot që në PD të jenë kaq përtacë që të thonë në kuvendin e nesërm të uzurpimit “ripërtëritje”.

Njëri “rilindje”, tjetri “ripërtëritje”. Njëri vjedh Shqipërinë, tjetri vjedh opozitën. Rama autokrat i Shqipërisë, Berisha autokrat i opozitës. Qytetarë shqiptarë po e bëjnë dallimin dhe për shumë njerëz që thonë ku janë të rinjtë në PD, shikojeni edhe sheshin sot, meqë sallën e Pallatit të Kongreseve na e mohuan, të rinjtë janë në PD, duan t’i bashkohen PD-së."-tha Salianji.

 

ervin salianji pd

Lini një Përgjigje