Dosja hetimore e SPAK-ut përmban vepra të tjera penale të dyshuara, por prokurorët nuk i ngritën në gjykim. Nga Vendimi nr. 1363 (17 tetor 2008) i Berishës, te firma fiktive e Malltezit krijuar 10 ditë më parë, te 310 milionë lekët e para dhe më pas 400 milionë të tjera ryshfet për ndikim te Enti Rregullator i Energjisë, ku Malltezi ndërhyri te Sokol Ramadanai, i cili më vonë u emërua nga Berisha përfaqësues i qeverisë te HEC-i...
Është absurd fakti që SPAK-ut çoi për gjykim ish-kryeministrin Sali Berisha dhe dhëndrin Jamarbër Malltezi, vetëm për veprën penale "bashkëpunim" në aferën e truallit të ish-kompleksit "Partizani", kur dosja hetimore ka disa vepra të tjera penale të kryera prej tyre.
Dhjetë ditë para firmosjes së vendimit të qeverisë, dhëndri Malltezi krijoi firmën fiktive "Mjedisi dhe Zhvillimi i Qendrueshëm" sh.p.k., nëpërmjet të cilës përfitoi 310 milionë lekë nga kompania "Energji-Ashta", për gjoja studime mjedisore të këtij hidrocentrali.

Por dhëndri Malltezi, duke përdorur pushtetin e vjehrrit kryeministër, ka vazhduar pazaret e përfitimit nga investitorët austriakë të hidrocentralit të Ashtës në Bushat, duke ndërhyrë e ndikuar bashkë me vjehrrin Sali Berisha te institucionet shtetërore për favore të tjera.
Sipas dosjes hetimore, Malltezi ka marrë 400 milionë lekë pagesë ilegale, ose më saktë ryshfet, nga kompania "Energji-Ashta" në Bushat, duke ndikuar për një vendim tjetër te drejtuesi i Entit Rregullator të Energjisë (ERE).
Pas ndërhyrjes dhe ndikimit te Kryetari i Entit Rregullator të Energjisë (ERE), Sokol Ramadani, ai firmosi Vendimin Nr. 170, datë 18 dhjetor 2012, në favor të pronarëve të hidrocentralit "Ashta".
Me atë vendim, Enti Rregullator i Energjisë (ERE) miratoi marrëveshjen mes Korporatës së Elektroenergjetike (KESH) dhe kompanisë private "Energji Ashta-Bushat", për shitjen në shtet me rend të përshpejtuar dhe çmim të lartë të energjisë elektrike që prodhon.
Miratimi i kësaj marrëveshjeje, përveçse u bë me përshpejtim para afateve të përcaktuara dhe tejkalim të fazave të verifikimit teknik e ligjor, u bë dhe në shkelje të kritereve të tjera.
Por kryetari i Entit Rregullator të Energjisë (ERE), Sokol Ramadani, e miratoi marrëveshjen në favor të hidrocentralit "Ashta" me ndërhyrje dhe ndikim të Jamarbër Malltezit, që shfrytëzoi fuqinë e vjehrrit kryeministër.
Madje, më 29 gusht 2013, një javë para dorëzimit të detyrës, Sali Berisha nxori vendim qeverie që Kryetari i Entit Rregullator të Energjisë (ERE), Sokol Ramadani, të emërohej përfaqësues i qeverisë në stafin drejtues të hidrocentralit "Ashta" në Bushat, nëpërmjet të cilit Jamarbër Malltezi vazhdoi të përfitonte financiarisht deri në fund të vitit 2014.
Në vijim do të publikojmë të tjera afera të çiftit Argita Berisha e Jamarbër Malltezi gjatë pushtetit të "babait" kryeministër. /Pamfleti
Lini një Përgjigje