TAGS-AT E JAVËS

Politike29 Maj 2026, 12:40

Berisha i ankohet Komisionit të Venecias për financat e 11 majit: PS ka marrë 2700 herë më shumë para nga buxheti, se PD 

Shkruar nga Pamfleti
Berisha i ankohet Komisionit të Venecias për financat e 11 majit: PS
Sali Berisha deklaratë për mediat

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se i ka paraqitur delegacionit të Komisionit të Venecias shqetësimet e opozitës lidhur me financimin e partive politike dhe procesin zgjedhor në Shqipëri. Pas takimit me përfaqësuesit e Komisionit, ai tha se çështja e financimit mbetet elementi më i rëndësishëm për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Berisha pretendoi se gjatë zgjedhjeve parlamentare të 11 majit ka ekzistuar një pabarazi e theksuar mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike në përdorimin e burimeve financiare. Sipas tij, partia në pushtet ka përfituar në mënyrë të shumëfishtë nga fondet publike dhe nga aktivitete të financuara me para të buxhetit të shtetit gjatë periudhës zgjedhore.

Ai i cilësoi zgjedhjet si një proces me pabarazi të thellë financiare dhe tha se këto argumente janë paraqitur para Komisionit të Venecias.

“Përfaqësuesit e Komisionit të Venecias kanë ardhur dhe ne ishim në një takim me ta, në të cilin kërkojmë mendime dhe opinione të forcave politike para se ata të shprehin rekomandimet dhe opinionet e tyre për ligjin e financimit të partive.

Në këtë takim theksuam, bashkë me bashkëpunëtorët e mi, theksuam se çështja e financimit të partive është çështja më themelore e procesit zgjedhor.

Konkretisht me fakte provuam se në këto zgjedhje në rrafshin e financimit nga paratë e buxhetit, diferenca mes dy partive kryesore, Partisë Demokratike dhe partisë në qeveri, ka qenë minimumi 700 deri në 1 mijë herë. Diferenca e financimit me paratë e buxhetit, midis dy forcave kryesore politike, shkon nga 700 në 1 mijë herë.

Konkretisht. Duke përjashtuar totalisht atë çka ligji përcakton për financimin e këtyre partive, jashtë përcaktimit ligjor, partia në pushtet organizoi në kohën e ndaluar nga ligji, 4530 ngjarje me një kosto nga disa qindra euro në 7 milionë euro, para buxheti siç ishte ‘Giro D’Italia’, një ditë para zgjedhjeve dhe ditën e zgjedhjeve.

Një organizatë private e cila u kontraktua nga Edi Rama për ndikuar tek zgjedhësit. Këto 4530 aktiviteteve nuk janë tek 2.7 miliardëshi. Nëse e thashë 700 gabova, është të paktën 2700 sepse janë para buxheti këto.

Së dyti, iu dha çdo pensionisti iu dha 100 euro dhuratë në fushatë elektorale, para buxheti, dhuratë për votë. U falën dy ditë para zgjedhjeve, para që do të shkonin në buxhet, 2 miliard e 100 milionë euro. Me impakt në mbi 2300 familje, me impakt 84 mijë biznese aktive.

Tjetër, por këto nuk u llogaritën këto të fundit. Miliarda, miliarda të rrënjëve të kanabisit që u dekretuan 29 mijë hekratëve kundrejt 200 hektarëve që parashikonte ligji, në një kohë kur një bimë kanabis vlerësohet në 1 mijë euro të ardhura.

Por këto nuk u llogaritën dot, sepse shkojnë në miliarda në vetvete. Shuma stratosferike. Pra pabarazia ishte në mijëra herë, me para buxheti. Shto këtu edhe mbi 500 milionë prokurime të ndaluara me ligj gjatë fushatës elektorale. Për të gjitha këto, farsa ishte më e shëmtuara që kanë parë ndonjëherë”, u shpreh Berisha. 

komisioni i venecias financimi i partive sali berisha

Lini një Përgjigje