Aktorja Julia Ilirjani, e cila ishte kandidate e Partisë Demokratike në zgjedhjet e fundit, iu bashkua nismës së ndërmarrë nga ish-deputeti Ervin Salianji, duke u pozicionuar larg grupimit të drejtuar nga Sali Berisha.
Ilirjani ishte një nga të ftuarat në takimin e organizuar në Tiranë nga Salianji me demokratë, struktura dhe mbështetës që kërkojnë një riorganizim të opozitës dhe një drejtim të ri politik.
Në fjalën e saj, ajo bëri një paralelizëm mes të rinjve të pranishëm në sallë dhe studentëve që nisën lëvizjen e Dhjetorit 1990. Sipas saj, edhe atëherë një grup i vogël njerëzish arriti të krijojë një lëvizje që më pas fitoi mbështetje të gjerë në të gjithë vendin.
Ilirjani tha se angazhimi i të rinjve në këtë nismë tregon se fryma e ndryshimit vazhdon të ekzistojë brenda elektoratit demokrat dhe se bashkimi i njerëzve me të njëjtat bindje mund të krijojë një alternativë fituese për opozitën.
Ajo u ndal edhe te humbjet e njëpasnjëshme të demokratëve, duke theksuar se mbështetësit e opozitës kërkojnë një projekt politik që synon fitoren dhe përballjen me mazhorancën.
“Kur pata ftesën për të folur këtu mendova disa fjalë të përshtatshme për këtë takim, por tani që jam këtu dhe shoh gjithë këta të rinj dhe të reja, më kujtohet viti 1990. Atëherë kur një grup i vogël studentësh foli, këmbënguli dhe krijoi një parti të re që ishte PD. Atëherë nuk u mbështet nga qeveria e asaj kohe dhe shumë të tjerë, mirëpo këmbëngulja e atyre të rinjve u mbështet nga të ngjashmit e tyre, nga pjesa tjetër e rinisë, dhe vërshoi në rrugët e Tiranës dhe Shqipërisë. Mendoj se këta të rinj këtu do të bëjnë të njëjtën gjë si atëherë.
Këta të rinj do të mbështeten fillimisht nga njëri-tjetri, nga të ngjashmit e tyre, dhe më pas kjo lëvizje do të zbresë si një uragan në të gjithë Shqipërinë. Nuk mund të pranojmë më humbje pas humbjeve, por duam dhe do të arrijmë fitoren! Rroftë demokracia, rroftë Shqipëria!”, tha Julia Ilirjani.
Takimi i zhvilluar në Tiranë mblodhi mbështetës të Salianjit dhe u fokusua te nevoja për një qasje të re në radhët e opozitës pas rezultateve të fundit zgjedhore.
Lini një Përgjigje