TAGS-AT E JAVËS

Politike13 Mars 2025, 18:42

“Puçi” me listat, emrat që “përvëlohen” nga gara e hapur

Shkruar nga Pamfleti

“Puçi” me listat, emrat që

Ja kush rrezikon në secilin qark...

Edi Rama dhe Sali Berisha duket se kanë ecur me plan të njëjtë sa i takon 11 majit. Të dy kanë futur në listat e mbyllura njerëz besnikë, duke nxjerrë në garë të hapur figurat e vjetra.

Berisha duket se po merr masa për atë që do të ndodhë nëse humbet. Frika e tij ishte se do ngriheshin sërish kundër dhe do i kërkonin largimin dhe tani do ketë pranë tij më besnikët. Rama duket se po largon ata që nuk kanë qenë shumë të kënaqur, por nuk e kanë shprehur hapur. Kryeministri duket se po shuan mundësitë për krijimin e çdo klani në parti.

I gjithë ky plan po arrihet duke i futur në lista të hapura deputetët e “vjetër”. Edhe pse Rama shprehet se gjithsecili duhet të tregojë se sa vlen, në fakt kjo është një mënyrë e moderuar për të larguar pjesën më të madhe. Por si ndodh kjo?

Duke qenë se tani kanë dalë emra, më poshtë po analizojmë në secilin qark se kush rrezikon të mos bëhet deputet, duke u bazuar te rezultati i 2021 por dhe të dhënat e sondazheve.

Berat, për çdo subjekt fitues, 2 deputetët e parë do të zgjidhen nga lista e fiksuar dhe 5 nga lista e hapur. Në zgjedhjet e 2021, PS mori 5 mandate në Berat dhe PD vetëm dy. Kjo do të thotë se nga PD emra si Fatmira Kola, Thoma Runiçi, Oltion Merdari, Lefter Maliqi, etj, me shumë mundësi nuk bëhen deputetë. Ndërsa nga PS “lufta” bëhet për 3 vende dhe 4 emra nga lista e hapur nuk bëhen dot deputetë. Në garë janë Matea Rexhepi, Hatixhe Konomi, Julian Zylaj, Ardian Islami, Ergis Hyka, Fadil Nasufi dhe Hysen Buzali.

Dibër, 2 fituesit e parë do të jenë të listës së mbyllur, dhe 3 nga e hapura. Në 2021, PD mori 3 mandate dhe PS 2. Kjo do të thotë se emra si Murat Dani, Daniel Gjura, Valentina Haliti, Agron Malaj dhe Dritan Selishta mund të mos bëhen deputetë në radhët e PS. Nga PD kemi disa emra që ose luftojnë për një vend, ose rrezikojnë të mos bëhen deputetë nëse PS merr 3 mandate dhe ata janë: Xhemal Gjunkshi, Alketa Agolli, Basir Collaku apo Përparim Spahiu.

Durrës, 5 deputetët e parë dalin nga lista e fiksuar, 9 nga lista e hapur. Më 2021, PS mori në Durrës 8 mandate, pra kemi vetëm 3 fitues në listën e hapur. PD mori 6 mandate, nëse mbetemi tek i njëjti rezultat, ka vetëm 1 deputet nga lista e hapur tek opozita. Por nëse shohim sondazhet dhe PD bie më tepër, Kjo do të thotë se rrezikojnë të mos bëhen deputetë nga PD emra si: Jola Hysaj, Aulon Kalaja, Arian Ndoji, Andia Ulliri apo Ilirjana Kuçana.

Elbasan do të jenë 5 emra në listë të mbyllur nga 14 mandate. Edhe këtu, më 2021 ndarja është 8 mandate PS dhe 6 PD, që do të thotë jemi njësoj si në Durrës dhe po nga PD ka shumë emra që rrezikojnë. Ata janë: Ilirjan Alliu, Mustafa Pasha, Armaldo Kllogjeri apo Dashamir Xhika.

Por dhe nga PS disa emra të njohur do mbeten jashtë, pasi për 3 apo 4 vende garojnë: Florenc Spaho, Desantila Tahiraj, Saimir Hasalla, Olsi Komici, Luan Duzha, Aulona Bylykbashi, etj. Pra janë 3 deputetë aktualë në listë të hapur dhe dikush rrezikon të mbetet jashtë.

Edhe në Fier, 5 emra do të dalin nga lista e mbyllur, nga 16 mandate në total. Në zgjedhjet e 2021, PS mori 9 mandate, PD 6, ndërsa LSI 1 mandat. Nëse ndjekim të njëjtin rezultat, PS pritet të ketë 4 emra nga lista e hapur, PD vetëm 1. Edhe nëse shtojmë LSI, sondazhet tregojnë rënie për PD dhe do të thotë se në Fier mund të kemi emra nga lista e hapur që rrezikojnë të mbeten jashtë: Gentian Koçi, Ledion Çala, Luljeta Sejko, Ajet Bërguri, Ardian Ferro, etj.  

Gjirokastra ka vetëm 1 emër në listë të mbyllur nga 4 mandate gjithsej. Sipas të dhënave të 2021, i bie që PD të mos ketë listë të hapur, ndërsa PS ka 2 emra. Nga PD rrezikon Arben Ristani apo Bajram Hysa, ndërsa në PS gara do jetë mes: Anila Dhimitrit, Pirro Dhimës, Shyqyri Hysit dhe Tërmet Peçit.

Korça ka në listë të fiksuar, 3 nga 10 mandate për çdo subjekt zgjedhor. PD dhe PS më 2021 janë ndarë 6 me 5, teksa këtë vit Korçës ju hoq një mandat dhe secili subjekt mund të ketë 2 fitues në listë të hapur.

Nga PS rrezikojnë deputetët aktualë si Eni Zake apo Ilirjan Pendavinji. Nga PD rrezikojnë: Edmond Spaho, Andrea Mano apo Gentjan Çela.

Kukësi ka vetëm 1 mandat në listë të mbyllur nga 3. Përgjithësisht aty partitë janë ndarë 1 me 2 dhe i bie që njëra prej subjekteve të ketë vetëm 1 emër në listë të hapur. Nga PD rrezikon Isuf Çela, ndërsa nga PS Alban Zeneli.

Shkodra ka 4. Në zgjedhjet e 2021, PS mori vetëm 3 mandate aty dhe me të njëjtën logjikë emrat që dalin janë në listë të fiksuar. PD mori 5 mandate dhe ka vetëm 1 në listë të hapur, ndërsa PSD dhe LSI mbeten vetëm te lista e mbyllur. Duke parë sondazhet nuk është çudi që PD e PS të ndahen me nga 4 deputetë. Do të thotë se të gjithë në listë të hapur digjen. Nga PS emër i njohur është Edona Bilali. Nga PD Bardh Spahia apo Ludovik Hasani.

Vlorë janë 4 deputetë në listë të mbyllur për çdo parti. PS më 2021 mori 8 mandate aty dhe nëse kemi sërish të njëjtin rezultat, i bie 4 emra dalin nga lista e hapur dhe 4 në listën e mbyllur. Ndërsa PD ka dalë me 4 mandate, pra nuk vlen lista e hapur nëse nuk merr më shumë mandate. Do të thotë se digjen emra si: Petro Gjikuria, Alda Haluci, Matilda Qyrku, Nada Daullja Meçorapaj, Liljana Elmazi, Lorenc Banaj, Edmond Fetahu, Skender Muço.

Lufta më madhe do të jetë në Tiranë dhe sipas KQZ 12 deputetë të secilit subjekt dalin nga lista e mbyllur. Më 2021, PS dhe PD u ndanë 18 me 15 mandate. Por nëse shohim sondazhet dhe faktin që kemi parti të reja, nëse PD merr më pak mandate deputeti, atëherë lufta te lista e hapur mund të bëhet për 1 apo 2 vende. Rasti më i keq do të jetë nëse PD përfundon te 12 mandate dhe askush nga lista e hapur nuk bëhet deputet. Kjo do të thotë se do të mbetej jashtë Ilir Meta, Jorida Tabaku Ilir Alimehmeti, Myslim Murrizi, Dhurata Çupi, Shpëtim Idrizi, Krehsnik Çollaku etj. Duke parë sondazhet, mund të themi se shumë nga emrat më sipër, për të mos thënë të gjithë mbesin jashtë.

Pra skema me listë të hapur, duket se është një goditje për një pjesë të madhe të emrave dhe ata që rrezikojnë, janë shumica nga PD. /Pamfleti

Lini një Përgjigje