
Banorët që kundërshtojnë projektin TID në Durrës janë mbledhur sërish para Bashkisë së qytetit, duke vijuar protestat e tyre kundër planit që rrezikon pronat dhe banesat e dhjetëra familjeve.
Gjatë tubimit, protestuesit hodhën akuza të forta ndaj kryebashkiakes Emiriana Sako, si edhe ndaj kryeministrit Rama, zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe ministres Mirela Kumbaro, duke i konsideruar përgjegjës për zbatimin e projektit.
Me pankarta në duar dhe thirrje kundër projektit, qytetarët kërkuan shfuqizimin e të gjitha vendimeve që lidhen me TID-in dhe ndalimin e menjëhershëm të zbatimit të tij.
“Sot është mbledhja e Këshillit Bashkiak Durrës. Ne që kemi ardhur këtu, kërkojmë shfuqizimin, atë që keni bërë me dorën tuaj duhet ta shfuqizoni. Projekti që ka firmosur Belinda Balluku, Edi Rama dhe Ermirjana Sako duhet shfuqizuar. Po na vidhni pronat tona. Jeni bërë pronarë të Durrësit. Me çfarë të drejte hiqni njerëzit nga shtëpitë për të bërë lulishte? Ky është plan hajduti. Bashkia nuk ka më fuqi t’i thojë ‘jo’ Edi Ramës”, deklaroi një prej protestueseve.
Edhe pse projekti nuk ishte pjesë e rendit të ditës në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, protestuesit vijuan thirrjet e tyre gjatë gjithë zhvillimit të seancës.
Në fokus të kritikave mbeti veçanërisht kryebashkiakja Emiriana Sako, të cilën banorët e akuzojnë se po mbështet një projekt që prek interesat dhe pronat e qytetarëve të Durrësit.
Protesta u zhvillua pa incidente dhe në kuadër të një tubimi paqësor qytetar.
Çfarë është projekti TID dhe pse po kundërshtohet?
Projekti TID parashikon transformimin e qendrës historike të Durrësit, përfshirë edhe bulevardin “Epidamn”, një nga zonat më të vjetra dhe më të frekuentuara të qytetit.
Megjithatë, projekti ka ngritur shqetësime të forta te banorët, pasi parashikon prishjen e dhjetëra banesave dhe bizneseve private. Rreth 74 familje preken drejtpërdrejt nga shpronësimet, ndërsa fondi i akorduar për kompensimin e tyre është rreth 315 milionë lekë.
Banorët pretendojnë se vlerat e dëmshpërblimit janë shumë më të ulëta se çmimet e tregut, çka, sipas tyre, i lë pa mundësi për të blerë një banesë tjetër.
Projekti përfshin gjithashtu ndërhyrje në zona të rëndësishme historike dhe arkeologjike, si Amfiteatri i Durrësit, muret bizantine dhe zona pranë Torrës Veneciane. Në të njëjtën kohë, ai parashikon krijimin e hapësirave të reja publike, gjelbërim urban dhe ndërtimin e parkimeve të reja.
Lini një Përgjigje