
Publikimi i listave të kandidatëve ka sjellë reagime të shumta. Një pjesë kanë reaguar të qejfmbetur, ndërsa një pjesë që nuk e panë veten aty shprehen se nuk kanë pasur fare interes. Mes atyre është dhe Rudina Hajdari, e cila u bë deputete në kohën e Lulzim Bashës. Ajo shkruan se nuk ka pranuar të jetë në lista, pasi sipas saj, i pari që duhet të largohet është Berisha.
“Doja thjesht t’u përgjigjesha demokratëve që më kanë shkruar për të pyetur pse emri im nuk figuron në listat e PD-së. Nuk kam kërkuar të jem pjesë e tyre këtë herë, sepse e kam shprehur qartë në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar, ku mora pjesë, se për të fituar, PD-ja duhet të zgjedhë një ekip të ri, të pakonsumuar dhe të papërlyer për korrupsion, që të krijojë një kontrast të fortë me qeverinë e Edi Ramës.
Gjithashtu në atë mbledhje kam theksuar se kryetari aktual duhet të bënte një hap pas për t’i hapur rrugë një kandidature tjetër për kryeministër. Meqenëse kjo nuk u mor parasysh, vendosa të mos kërkoj të jem pjesë e kësaj liste.
Gjithsesi, u uroj fitore kolegëve dhe shpresoj që të arrijnë rezultatin më të mirë të mundshëm. Unë do të vazhdoj të jap kontributin tim dhe të mbështes Partinë Demokratike dhe demokratët, pavarësisht se nuk bie dakord me disa vendime”, shkruan ajo.
Lini një Përgjigje