Mësohet se do të ndiqet e njëjta strategji si me komisionin e famshëm të reformës në drejtësi. PS nuk pranon që të kemi një drejtim dypalësh, por ai të ketë vetëm një kryetar nga radhët e PS. Sipas burimeve, kryetari me shumë gjasë do të jetë Fatmir Xhafaj...
Partia Socialiste po nxiton në mënyrë të habitshme me projektin e saj “antikorrupsion”. Pasi e kaloi me urgjencë rezolutën e famshme të hënën, në seancën parlamentare të së enjtes, PS ka vendosur që të ngreje dhe superkomisionin që do të drejtojë këtë luftë antikorrupsion.
Kuvendi ka publikuar rendin e ditës për të enjten dhe në një nga pikat është pikërisht projektvendimi “Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Thellimin e Reformave për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”.
Pra bëhet fjalë për një komision me anëtarë nga të gjitha palët politike dhe duket se këtu është prova e madhe e opozitës. Të enjten PS do ngrejë komisionin dhe më pas do të shihet nëse opozita do të dërgojë apo jo anëtarët. Sipas zërave, jo vetëm që do t’i dërgojë, por madje janë piketuar që tani emrat. Loja është më e thellë sesa duket. PD mundohet të tregojë se nuk është pjesë e pazarit, por në fakt kemi një pazar të pisët, nga i cili rrezikohet reforma në drejtësi.
Te ky komision pritet që Rama të nxjerrë sërish në skenë Fatmir Xhafajn. Mësohet se do të ndiqet e njëjta strategji si me komisionin e famshëm të reformës në drejtësi. PS nuk pranon që të kemi një drejtim dypalësh, por ai të ketë vetëm një kryetar nga radhët e PS. Sipas burimeve, kryetari me shumë gjasë do të jetë Fatmir Xhafaj, por mbetet të shihet. Vetë projektvendimi për ngritjen e komisionit mbahet i fshehtë nga Kuvendi, teksa nuk dihen emrat e asnjë anëtari. Fillimisht do bëhet ngritja e komisionit dhe më pas emërimet, por në atë komision, PS do të fusë disa prej atyre që ndihmuan me reformën në drejtësi. Tani të njëjtët do të përdoren që reforma të zhbëhet.
Shumë e mistershme është heshtja ndërkombëtare. SHBA e BE kanë folur për konsensus, por vetëm konsensus nuk ka. PS po operon e vetme dhe PD po luan në prapaskenë. Ndërkohë, sot Toni Gogu kërcënoi se ata do të vijojnë ndryshimin e ligjeve edhe vetëm. Pra, kemi të bëjmë me luftë antikorrupsion apo ka diçka tjetër që e shqetëson Ramën? /Pamfleti
Lini një Përgjigje