
Përtej “aktrimit” politik mbushur me përplasje, sharje dhe ngritje zëri në sallën e Kuvendit, PS-PD duket se duan ta sabotojnë qëllimisht nismën për votën e diasporës.
E nisur me shumë ‘zell’ dhe e përdorur për kredo politike nga të dyja palët mazhorancë-opozitë, vota e diasporës duket se po futet në një qorrsokak. Plani duket se është i përbashkët me PD dhe PS që akuzojnë njëra-tjetrën se po përpiqen të sabotojnë procesin.
Plani u pa qartë gjatë seancës së sotme të Kuvendit, ku u fol për votën e diasporës. PD kushtëzoi votën e ndryshimeve emigrantëve shqiptarë.
Ish-kryeministri, Sali Berisha tha gjatë seancës së sotme se nëse nuk votohet amendamenti i PD-së që u njeh votimin me pasaportë apo dokumente biometrike të vendit ku jetojnë atëherë ndryshimet nuk do të votohen.
“Shqiptar i bën shtetësia, pavarësisht nga dokumenti që kanë marrë në vendin që jetojnë. Nëse nuk keni frikë dhe tmerr nga vota e shqiptarëve, të votojnë shqiptarët me çdo dokument biometrik që disponojnë. BE ka letër njoftim të përbashkët dhe dokumentet tona, ju nuk njihni dokumentin e BE, e kuptoni në çfarë primitivizmi zbrisni apo jo?”, tha Berisha.
Nga ana tjetër, PS shprehet kundër dhe e quan alibi të Partisë Demokratike për humbjen që do të pësojnë në zgjedhjet e 11 majit. PS-ja propozon që këta emigrantë të lejohen të votojnë me ID të skaduar shqiptare.
Teksa pohoi se kjo kërkesë e opozitarëve nuk do pranohet, Balla kërkoi votat për ndryshimet e propozuara nga socialistët, ku tha se mes tyre janë dhe kërkesa të adresuara nga Partia Demokratike.
“E ka detyrim ky parlament ta miratojë gatishmërinë e qeverisë në mënyrë që postën edhe në kthim ta miratojmë ne, hajde jepni votën aty dhe mos kushtëzoni më asgjë. Frika ju ka karakterizuar gjithmonë, keni frikë se do ju vjedh Celibashi votat, bujrum ti numërojmë votat në prani të përfaqësuesve partiak”, tha Balla.
Ndryshimet në Kodin Zgjedhor që ishin dakordësuar më herët, për të lehtësuar votimin e shqiptarëve që jetojnë jashtë, ende nuk kanë nisur të diskutohen në komisione dhe me shumë mundësi nuk do të votohen.
Përtej “aktrimit” politik mbushur me përplasje, sharje dhe ngritje zëri në sallën e Kuvendit, PS-PD duket se duan ta sabotojnë qëllimisht nismën për votën e diasporës./Pamfleti
Lini një Përgjigje