
Kushtetuesja asnjë lëvizje për të shpallur vakancën për Sonila Bejten...
Hapet sërish debati mbi mandatin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Kjo e fundit nuk e ka vënë aspak ujin në zjarr për të dalë me një vendim shterues, duke futur në kaos institucionet e emërtesës.
Kur u hartua ligji për Kushtetuesen, u vendos që çdo 3 vjet të bëhet ripërtëritja e mandatit për 3 anëtarë të saj. Aktualisht është shpallur fundi i mandatit për Elsa Toskën dhe Holta Zaçajn, teksa ka pasur deklarime se këtë vit duhet të mbyllë mandatin edhe anëtarja tjetër Sonila Bejtja, vakancë që i takon Presidentit.
Duke qenë se Kushtetuesja nuk ka bërë akoma asnjë shpallje vakance, presidenti Begaj i është drejtuar sot me një shkresë gjykatës.
“Gjykata Kushtetuese ka deklaruar mbarimin e mandatit për gjyqtaren Zaçaj, por nuk ka vepruar për të deklaruar mbarimin e dy mandateve të tjera që përfshihen në përtëritjen e parë pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve të vitit 2016. Nëse nuk deklarohet mbarimi i dy mandateve të tjera dhe arsyetimi i bërë për mandatin e gjyqtares Zaçaj nuk vlen për dy mandatet e tjera, nuk mund të ketë përtëritje të pjesshme të Gjykatës Kushtetuese në vitin 2025. Për pasojë, shkurtimi i mandatit të gjyqtares Zaçaj i bie të jetë bërë në kundërshtim me Kushtetutën.
Nëse është e vërtetë se, “në ekuilibrin midis parimit të qëndrueshmërisë në detyrë dhe atij të përtëritjes së Gjykatës”, ky i fundit prevalon, atëherë Gjykata Kushtetuese duhet të kishte përfunduar procedurën për deklarimin e mandatit të gjyqtares Bejtja dhe të kishte njoftuar Presidentin e Republikës për vakancën përpara datës 25.1.2025 (pika 3 e nenit 9 të ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”). Kjo gjë jo vetëm nuk ka ndodhur, por edhe nuk ka asnjë njoftim publik nga ana e Gjykatës Kushtetuese në këtë drejtim”, shprehet presidenti.
Sipas presidentit, Gjykata Kushtetuese ka marrë në datën 23.12.2024 vendimin për deklarimin e mbarimit të mandatit për Gjyqtaren Kushtetuese, znj. Holta Zaçaj, me qëllimin për të mbrojtur dhe për të bërë të mundur përtëritjen e pjesshme të Gjykatës në intervale 3-vjeçare, sikurse kërkohet nga Kushtetuta.
Gjyqtarja Zaçaj u emërua në detyrën e Gjyqtarit Kushtetues në janar të vitit 2023, me një vonesë prej gati 6 vitesh nga momenti i krijimit të vakancës, shkaktuar nga rrethana të njohura dhe të pavarura prej saj. Me vonesë nga momenti i krijimit të vakancës janë emëruar të gjithë gjyqtarët kushtetues pas vitit 2016, deri më sot.
“Ligji për Gjykatën Kushtetuese përcakton se mandati i Gjyqtarit Kushtetues fillon në datën e kryerjes së betimit dhe mbaron, për gjyqtarët fillestarë, sipas rastit, tetë ose nëntë vjet më pas. Në kushtet e emërimit me vonesë të gjyqtarëve fillestarë, zbatimi i kësaj dispozite e asgjëson parimin e përtëritjes së pjesshme, si në vitin 2025, ashtu dhe në vitin 2028 apo në vitin 2031.
Në rastin e gjyqtares Zaçaj, Gjykata e ka gjetur zgjidhjen, duke lidhur fillimin e mandatit me datën kur ka përfunduar mandati i anëtarit pararendës të Gjykatës Kushtetuese dhe mbarimin e mandatit me afatin për përtëritjen e pjesshme të organit. Por, Gjykata nuk është shprehur nëse kjo zgjidhje vlen edhe për gjyqtarët e tjerë kushtetues, emërimi me vonesë i të cilëve prish mekanizimin për përtëritjen e trupës”, shprehet Begaj.
Përtëritja e pjesshme përfshin njëkohësisht tre mandate specifike. Që të ndodhë përtëritja e synuar nga Gjykata Kushtetuese për vitin 2025, duhet që arsyetimi i Gjykatës për përtëritjen të shtrihej edhe mbi dy mandatet e tjera që përkojnë me afatin e përtëritjes, vijon presidenti.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk e qartëson këtë aspekt, ndërkohë që afati për deklarimin e mbarimit të këtyre mandateve është ezauruar nga Gjykata pa veprime, duke vendosur në vështirësi organet e emërtesës. Gjykata Kushtetuese ka patur detyrimin për të krijuar qartësi të plotë rreth vendimmarrjes së saj, sikundër duhet të ishte zbatuesi i parë, i devotshëm dhe korrekt i vendimeve të veta. Në fakt, Gjykata ka preferuar që këtë përgjegjësi ta transferojë tek institucionet e tjera. Në kushtet e mosveprimit të Gjykatës, Presidenti i Republikës ka shfrytëzuar mundësinë e vetme që i njeh ligji, mundësinë e depozitimit të një kërkese për mosmarrëveshje kompetence, për të bërë që Gjykata Kushtetuese të zgjidhë në mënyrë të drejtë, gjithëpërfshirëse, kushtetuese dhe shteruese ngërçin e krijuar me mekanizmin e përtëritjes së pjesshme”, thuhet në shkresë.
Presidenti i Republikës shpreson se në këtë mënyrë Gjykata Kushtetuese do të mund të sqarojë në mënyrë të plotë dhe përfundimtare se si duhet të jetë përtëritja e pjesshme e Gjykatës, që ajo të konsiderohet në përputhje me Kushtetutën.
Sipas tij, Gjykata Kushtetuese duhet ta bëjë këtë sqarim, në mënyrë të tillë që të ketë vlerë për të gjithë gjyqtarët kushtetues aktualë, përndryshe nuk do ketë asnjë mundësi që të ndreqet deformimi i mekanizmit të përtëritjes dhe çdo ndërhyrje për shkurtimin e mandateve të caktuara, vetëm për një ose disa gjyqtarë, do të ishte në shkelje të hapur të Kushtetutës.
Lini një Përgjigje