
Kreu i grupit parlamentar të PS Niko Peleshi ka replikuar me deputetin demokrat Oerd Bylykbashi, në lidhje me mundësimin e votës për shqiptarët në diasporë të cilët nuk janë të pajisur me dokumente identifikime shqiptare.
Oerd Bylykbashi u shpreh që e drejta e shtetësisë rrjedh nga gjaku dhe është e drejtë e çdo shqiptari në diasporë, qoftë edhe vetëm me një prind shqiptar. Sipas deputetit të opozitës, qeveria po i mohonte të drejtën e votës të paktën 150 mijë shqiptarëve. Ai u shpreh që Partia Demokratike kërkon një amendament që t’u japë edhe këtyre emigrantëve të drejtën e votës dhe jo amendamente teknalitetesh që propozon qeveria.
“Kushdo që lind edhe më një prind shqiptar e fiton vetiu shtetësinë shqiptare. Ne kemi të drejtën e shtetësisë nga gjaku, në momentin që lind nga një prind pavarësisht se ke kartonin e qeverisë apo jo je shtetas shqiptar. Ajo që po kërkojmë është që ata të paktën 150 mijë shqiptarë, pyesni kreun e KQZ që janë pa asnjë aplikim për dokumente shqiptarë u mohohet e drejta për të votuar. Ne e kërkojmë me amendament që t’u jepet kjo e drejtë. Të gjithë që janë në listën e zgjedhësve kanë të drejtën e votës dhe kjo qeveri po e bllokon. Amendamenti që tha zoti Peleshi është për teknikalitete”, u shpreh Bylykbashi.
Kreu i grupit parlamentar të PS, Niko Peleshi, nga ana tjetër u shpreh se janë rreth 1.7 milionë votues në diasporës, ndërsa ata 150 mijë votues pa dokumente identifikimi përbejnë më pak se 10% të tyre.
Për Peleshin, Partia Socialiste me miratimin e përmirësimit të kushteve për 92%-ëshin tjetër, ka treguar që nuk ka frikë nga vota e tyre.
“Një ushtrim i thjeshtë aritmetik. Janë rreth 1.7 mln votues në diasporë. Ju thoni 150 mijë votues pa dokumente, më pak se 10%. Nëse PS është dakord për 92% të diasporës që të votojë dhe të bëjmë përmirësime si të doni ju, teknikalitete i quani ju. Ndoshta keni merakun se PS është në avantazh edhe në diasporë”, u shpreh Peleshi.
Lini një Përgjigje