Një situatë e pazakontë politike është shënuar në Këshillin Bashkiak të Fierit, ku votat e këshilltarëve të PS dhe PD janë bashkuar për zgjedhjen e kreut të ri të këshillit.
Me 41 këshilltarë të pranishëm në sallë, Këshilli Bashkiak votoi për kryetarin e ri, duke zgjedhur Melsi Bogdanin në këtë detyrë.
Më herët, grupi socialist paraqiti një mocion shkarkimi ndaj kryetares në detyrë, Antoneta Çunaj, duke i kërkuar dorëheqjen. Kjo e fundit shmangu votimin për shkarkimin, duke paraqitur dorëheqjen e parevokueshme dhe duke i hapur rrugë zgjedhjes së pasardhësit.
Çunaj deklaroi se do të vijojë të kontribuojë si këshilltare në funksion të vendimmarrjeve për komunitetin.
Pas mbledhjes së Komisionit të Mandateve për verifikimin e kërkesës së këshilltarëve socialistë, u zhvillua votimi për kreun e ri të këshillit. Melsi Bogdani u zgjodh me shumicë kartonash, duke marrë edhe mbështetjen e këshilltarëve të Partisë Demokratike. Në votim pati vetëm një votë kundër, ajo e Antoneta Çunajt.
Në fjalën e tij, Bogdani vlerësoi punën e paraardhëses dhe u shpreh se Këshilli Bashkiak do të hyjë në një tjetër nivel funksionimi.
Lini një Përgjigje