Berisha e ktheu sfidën ndaj tij në gallatë publike, ndërsa ata që dikur bënë pakt me të po zbulojnë se djalli nuk lëshon karrigen, por vetëm oborrin...
Parodia e të ashtuquajturës garë për zgjedhjen e kryetarit të PD-së nuk është ndonjë sens i hollë humori të zi nga Sali Berisha ndaj atyre që po e sfidojnë. Është një lëvizje politike alla-Doktor, vetëm me një metodë pak më kreative, thjesht te përzgjedhja cinike e emrit të “rivales”, që duket si “gjetje” e ndonjë skuthi të vogël në zyrat e propagandës.
Synimi i skenarit të kësaj komedie të zezë me doktoreshë Meremen nga Durrësi është që publiku të gajaset, të tallet, pra të merret me gallatën dhe jo me ‘sallatën e vyshkur’ të selisë blu.
Një metodë alla-Rama, por me skaletë pak më “të djathtë”, që mund të përshkruhet me klishenë e kohës së komunizmit: shaka laçjane me gjysma tullash.
Thelbi i çështjes nuk është fakti se kjo nuk është garë, pasi ajo garë nuk ka qenë e tillë që në krye të herës. Objektivi është ajo që ndodhi sot në mëngjes: të mos lejoheshin të hynin në seli Ervin Salianji, Evi Kokalari dhe Alesia Balliu.
Për t’u thënë të gjithëve se kush nuk është me “doktor Stranamore-n”, është kundër tij. Me një fjalë, refreni i njohur dhe i zbatuar prej 37 vjetësh.
Ndërkaq, kjo ngjarje, po të duam, mund ta lidhim edhe me atë që po ndodh në Partinë Socialiste. Ajo tregon një fakt që është edhe mësimi më i rëndësishëm.
Si Ervin Salianji, ashtu edhe Evi Kokalari, për të ardhur këtu ku ndodhen sot, nuk kanë shkelur thjesht mbi “kufomën” politike të Lulzim Bashës në vitin 2022.
Në përgjithësi, politikanët e bëjnë këtë: shkelin mbi kufoma politike në fushat e luftës, ku të rënë ka përditë dhe ku ngrihen të tjerë. Problemi këtu është se si Salianji, ashtu edhe Kokalari e të tjerë, bënë pakt me djallin, përkatësisht me Sali Berishën, me synimin për t’i zënë vendin.
Në vitin 2021, kur Lulzim Basha e përjashtoi Berishën nga partia, ishte rasti më i mirë që PD-ja të rigrupohej dhe të ndryshonte. Ndoshta nuk do të kishte shkuar gjithçka perfekt, ndoshta do të duhej të duronin për një kohë batutat e mërzitshme të Lulit dhe pushtetin e tij të madh, por gjithsesi ekzistonte mundësia për një jetë të dytë, për një rrugë tjetër.
Së paku pa Dr. Stranamore-n, që na është bërë si personazhet e telenovelave turke: në çdo orë e në çdo kanal televiziv, gjithë ditën.
Rruga e re, të paktën, do të ishte më e panjohur sesa ajo që të gjithë e dinë përmendësh që nga viti 1990 me Sali Berishën, i cili fyellit i bie vetëm në një vrimë.
Salianji, i cili së bashku me të tjerë ishte në grupin e Lulzim Bashës deri më 8 janar 2022, duket se u kap nga xhelozia për fuqizimin e Lulit.
Sipas të gjitha gjasave, Berisha, si një makiavelist i dorës së parë, u ka fryrë në vesh të gjithëve, si sirenat Odiseut, me një zë të butë prej babaxhani, duke u premtuar një parti të re, të bukur, plot pilaf e kabuni, ku do të hanin të gjithë.
Ndërkohë, Evi Kokalari erdhi që nga Amerika, pasi doktori i çoi njerëz t’i frynin në vesh, ngaqë i duhej prania e saj në strukturat republikane në SHBA, si dhe emri i një familjeje të njohur nga jugu.
Kokalari u ngref se “Stranamorja” do t’i jepte postin e kryetares së bashkisë, në mos atë të deputetes, me shpresën se një ditë do t’i linte edhe karrigen e madhe, kur ta merrte Zoti.
I besuan të gjithë. Edhe pse janë të ndryshëm, të kundërt, madje janë përplasur egërsisht me njëri-tjetrin; si Evi Kokalari me Ervin Salianjin, ata treguan se janë ende të papjekur politikisht, axhami apo naivë në leximin dhe parashikimin e situatave.
“Pakti me djallin” është një nga teoritë bazike të politikës: ai të lë vetëm një opsion. Të kthehesh në vegël totale të djallit, në instrument të tij. Rrugë tjetër nuk ka.
E njëjta gjë po ndodh edhe me ata që sot në Partinë Socialiste kanë ngritur zërin, si Elisa Spiropali, ndërsa shumëkush i kujton Skënderbeun, gjë që e ekspozon si një pikë të dobët.
Problemi nuk është as doktoreshë Meremja e Saliut, as ndonjë Zegjine e nesërme me Edi Ramën. Ata, edhe sikur të jenë naivë totalisht, janë të shfajësuar, sepse janë fillestarë dhe ende shërbejnë për të argëtuar cirkun.
Së paku Salianji, por edhe Kokalari, zgjidhjen e kishin në vitin 2021, kur Amerika e goditi fort Sali Berishën: një herë me firmën e Sekretarit të Shtetit dhe një herë me firmën kurajoze të Lulzim Bashës.
Basha e mori atë si një akt personal, ku kishte favore të konsiderueshme, por edhe rreziqe të mëdha.
Për të mos lejuar që lavdia e Lulit të rritej, ata që e mbështetën fillimisht u joshën nga skilja e vjetër, që u shtir si plak i urtë, për t’u kthyer më pas në fytyrën e saj të vërtetë.
Duke i zbuar edhe nga oborri dhe duke u tallur me ta përmes doktoreshë Meremes nga Durrësi./Pamfleti
"Njerëzit nuk duan të vërtetën, ata duan vetëm një gënjeshtër të rehatshme." (Lao Tzu)____________ "Sa më pak talent, aq shumë krenari, mendjemadhësi dhe arrogance. Megjithatë, të gjithë këta budallenj gjejnë gjithmonë budallenj të tjerë që i duartrokasin." (D. Erasmus) ____________________ Shënim: E për sa kohë demokratët do duan gënjeshtra jusfifikuese për humbjet, atëherë ta gëzojnë Saliun kryetar. Kurse për deuptetët e PD, ata tashmë kanë zgjedhur karrigen dhe heshtjen në lidhje me zgjedhjet farsë për kryetar të PD. Për sa kohë që Berisha në PD do ketë rreth vetes injorantë, servila, budallenj, apo gojëkyçur interesaxhinj, atëherë zgjedhjet do jenë teatër, farsë. Kjo nuk e bën Berishën "djall", por "master of pupets"! Ai do që të jetë "përjetësisht" si kryetar i PD, zot i një partie delesh që "nuk shohin, nuk dëgjojnë, nuk flasin, a nuk kuptojnë" se çka ndodh në parti, që nuk dinë se cila është diferenca mes një kryetari fitues dhe një humbës, se iu duken njësoj humbja me fitoren. Dele që dinë vetëm të thonë se shefi ka gjithmonë të drejtë. S'ka faj Saliu. Nëse do pushtet të "përhershëm", duhet të kesh si vartës njerëz më pak inteligjent se vetja, dhe gojëkyçur. Kështu bën çfarë të duash me partinë. Sigurisht që të duhet të paktën edhe një media propagande. Atë e ka, pra Syri TV. Për këto gjëra është kujdesur deri në detaj, Saliu, prandaj pretendon të jetë kryetar i përhershëm, qoftë edhe me zgjedhje farsë. Ç'rëndësi ka! Politika nuk ka moral. Rëndësi ka qëllimi, pra pushteti me çdo mjet.
Politika pa moral dhe pushteti si qëllim në vetvete, e rrudhi ish opozitën kryesore në vënd, në një opozitë jo konkuruse, por bashkëpunuese me klikën në fuqi, me pasojë rrënimin e vëndit . Të fituar dolën deputetët e listës. Por lufta nuk është për kreun se kjo dihet. Kryetar do jetë Sali Berisha. Lufta është për listën e ardhëshme. Kupola do jetë në krye dhe sipas disa projeksioneve PD e cunguar do mari në zgjedhjet e ardhshme deri në 10 deputet. "Jo keq". Po të llogaritet që armiqtë e brëndshëm dhe të jashtëm të PD dhe populli budalla që nuk e kupton mesazhin , janë shkaktar të rezultatit katastrofë në zgjedhjet e ardhshme . Edi Rama krehë zgjedhjet, opozita i pranon zgjedhjet dhe Kryeministrit i ngelet të krehë mjekrën ,dhe ta përjetësojë veten në projeksionin e një shumëkatëshi që vihet re nga larg. E nisi për Ismail Qemalin themeluesin e Shtetit Shqiptar dhe e bitisi për vete si restaurues i shtetit, pas 100 vjetë themelimi.