Taulant Balla, kreu i grupit parlamentar i Partisë Socialiste, po dëshmon sot për herë të parë në gjyqin e aferës 'Partizani', ku i pandehur për korrupsion është edhe ish-kryeministri Sali Berisha.
Është zbardhur dëshmia e kreut të grupit parlamentar socialist Taulant Balla në seancën e çështjes “Partizani”.
I thirrur si dëshmitar në cilësinë e kallëzuesit në GJKKO, deputeti Taulant Balla tha se në vlerësimin e tij privatizimi i ish-kompleksit sportiv të klubit Partizani, është bërë në shkelje të ligjit, dhe se “personat kanë shfrytëzuar lidhjet familjare për të privatizuar pronën, brenda 6 muajve”.
Dyshimi i parë sipas tij, nisi kur u zbulua se kompleksi Partizani ishte hequr nga plani i përhapjes i ushtrisë, ndryshe nga sa kishte qenë deri në 2007-ën.
Gjatë pyetje-përgjigjeve, dhëndri i ish kryeministrit, Jambarbër Malltezi deklaroi se dëshmitari ka thënë “7 gënjeshtra deri tani”, duke iu referuar pohimeve të Ballës në seancë.
Balla kërkoi nga kryetarja e gjykatës që “të mos fyhet”, duke u shprehur se “nuk ka ardhur në seancë për të fyer”.
Ndërsa Malltezi rikujtoi një deklaratë që sipas tij ka bërë Balla në Kuvend, ku është shprehur “nuk na tret dheu pa e futur Saliun në burg”.
Kujtojmë që ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, janë në akuzë në lidhje me privatizimin e kompleksit sportiv “Partizani”.
Pjesë nga debati në gjyq:
Malltezi: Dëshmitari ka 7 gënjeshtra deri tani.
Balla: Unë nuk kam ardhur këtu të fyej. Garancia ime që mos fyhem jeni ju zonja kryetare.
Gjykata: Nuk do lejohen fyerjet, por edhe ju mos flisni pa leje. Mbani vendin si dëshmitar.
Malltezi: Jeni i kënaqur me punën që ka bërë SPAK-u?
Gjykata: Nuk lejohet pyetja.
Balla: Atje jashtë do ta them. Këtu jo.
Malltezi: Ju keni thënë në kuvend, nuk na tret dheu pa e futur Saliun në burg.
Balla: Do përgjigje?
Dosja “Partizani” me 333 fashikuj u dorëzua pasditen e 18 tetorit të viti 2024 në gjykatë nga Prokuroria e Posaçme.
Sali Berisha akuzohet në këtë dosje për korrupsion pasiv. Jamarbër Malltezi dhe biznesmeni Fatmir Bektashi akuzohen për korrupsion e pastrim parash ndërsa dy të pandehurit e tjerë vetëm për pastrim parash.
Kryetari i Partisë Demokratike dhe dhëndri i tij janë nën masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe përgjatë hetimit kanë mohuar akuzat. Ndërsa biznesmeni Fatmir Bektashi është hetuar nën masën detyrim paraqitje. Xhimi Begeja e Andia Pustina janë hetuar në gjendje të lirë gjatë kësaj kohe.
Lini një Përgjigje