
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë fjalës së mbajtur në forumin e IDU-së në Zagreb, tha se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian duhet të jetë plotësisht i bazuar në meritë.
Ai u shpreh se, ndonëse mbështetja e qytetarëve shqiptarë për BE-në dhe NATO-n mbetet e lartë, procesi i integrimit po zvarritet për shkak të faktorëve të brendshëm.
“Sipas mendimit tim dhe të partisë sime, procesi i integrimit nënkupton më shumë të drejta të njeriut, më shumë liri për qytetarët, funksionim të shtetit ligjor, më shumë prosperitet dhe siguri. Por procesi duhet të jetë plotësisht i bazuar në meritë”, tha Berisha.
Berisha identifikoi disa nga pengesat kryesore, duke kritikuar ashpër situatën aktuale në vend.
“Pengesat kryesore të integrimit janë autokracia zgjedhore… Shqipëria është i vetmi narko-shtet në Evropë. Drogat në Shqipëri kanë një fuqi të jashtëzakonshme”, deklaroi ai.
Berisha akuzoi edhe kryeministrin Rama se bashkë me Vuçiç ka një projekt Serbi-Shqipëri për ndarjen e kufijve dhe në shënjestër sipas tij ëhstë Kosova, por ideja e tyre është hedhur poshtë dhe penguar.
“Faktori i tretë kryesor është se ka disa iniciativa shumë të çuditshme, si ajo Beograd–Tiranë, e cila shkon në drejtim të kundërt me integrimin në BE. Që nga fillimi i këtyre iniciativave rajonale të Aleksandër Vuçiç dhe Edi Rama, ato nisën me projektin e ndryshimit të kufijve. Në fakt, pas saj fshihej ndarja e Kosovës. Fatmirësisht, edhe pse e mbajtën peng krizën për shumë vite, kjo ide u hodh poshtë”, u shpreh Berisha.
Lini një Përgjigje