Në një kohë kur debati për lirinë e medias po thellohet, kryeministri Edi Rama ka dalë në mbrojtje të Agjencisë për Media dhe Informim (MIA), duke e vlerësuar atë si një strukturë që, sipas tij, është konfirmuar pozitivisht nga raportet ndërkombëtare si SIGMA-OECD.
Në stilin e tij të zakonshëm, Rama e ka kthyer debatet për MIA-n në një përplasje mes “kritikëve të zhurmshëm” dhe “fakteve të ftohta”, duke thënë në një postim në X se kjo agjenci është sulmuar padrejtësisht, si nga brenda ashtu edhe nga jashtë vendit, me akuza për rolin e saj në komunikimin publik.
Por sipas kryeministrit, “përmbysja e madhe” vjen tani sepse një raport i SIGMA-OECD, që ai e cilëson si burim ndërkombëtar me reputacion, paska nxjerrë një tablo krejt tjetër për MIA-n.
Rama thotë se raporti e sheh agjencinë si një strukturë në shërbim cilësor të mediave dhe publikut, duke i dhënë kështu, sipas tij, një përgjigje “me fakte” gjithë kritikëve që e kanë vënë në shënjestër.
Por ky reagim vjen paralelisht me një sfond krejt tjetër në raportet për lirinë e shtypit.
Sipas raporti të 'Reporters Without Borders', liria e medias në botë ka rënë në nivelin më të ulët të 25 viteve të fundit, një “rekord i zi” që prek edhe Shqipërinë, e cila renditet mes vendeve problematike në këtë tregues.
Këtu krijohet një kontrast i dukshëm mes narrativës së qeverisë, që thekson vlerësime pozitive për institucionet e saj të komunikimit publik, dhe panoramës së përgjithshme ndërkombëtare që flet për rënie të ndjeshme të lirisë së medias.
Lini një Përgjigje