Ervin Salianji ka hyrë zyrtarisht në garë për kreun e Partisë Demokratike, duke sfiduar Sali Berishën dhe duke prezantuar një platformë të fortë reformuese me 10 pika për ndryshimin e partisë.
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka zyrtarizuar kandidaturën e tij për drejtimin e Partisë Demokratike, duke hyrë në garë përballë Sali Berishës.
Në të njëjtën kohë, ai ka prezantuar një platformë të detajuar politike me 10 shtylla kryesore, që synon reformimin e thellë të partisë dhe rikthimin e saj në pushtet.
Sipas Salianjit, PD duhet të rikthehet te vlerat themeluese, të modernizohet dhe të shndërrohet në një forcë politike fituese, e aftë të sjellë rotacion politik dhe të mundë Partinë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme. Ai thekson se partia duhet të hapet, të forcojë përfaqësimin dhe të bëhet “parti masash dhe jo individësh”.
Një pjesë e rëndësishme e platformës lidhet me reformimin e brendshëm të PD-së. Salianji propozon zgjedhje të kryetarit me parimin “një anëtar, një votë”, kufizim mandatesh, si dhe përgjegjësi direkte të kryetarit për rezultatet zgjedhore, duke përfshirë edhe largimin automatik në rast humbjeje si kryeministër kandidat. Ai kërkon gjithashtu hapje të plotë të listave zgjedhore, me kuota për gratë (40%), të rinjtë (30%) dhe diasporën (10%).
Në fokus të platformës është edhe decentralizimi i partisë, duke i dhënë më shumë autonomi financiare dhe vendimmarrëse degëve lokale, si dhe vendosja e meritokracisë si parim bazë për strukturat drejtuese.
Në planin politik dhe ideologjik, PD sipas Salianjit duhet të forcojë identitetin e djathtë, duke mbrojtur pronën private, ekonominë e tregut dhe rolin e kufizuar të shtetit, si dhe duke vendosur familjen në qendër të politikave sociale. Integrimi europian dhe partneriteti me SHBA-të mbeten, sipas tij, prioritete strategjike të padiskutueshme.
Platforma parashikon gjithashtu:
-Forcim të Forumit Rinor dhe Forumit të Gruas në vendimmarrje
-Modernizim të komunikimit politik dhe kalim nga “parti proteste” në “parti qeverisëse”
-Bashkim të opozitës si kusht për rotacion politik
-Mbështetje të fortë për SPAK dhe shtetin e së drejtës
Salianji e cilëson kandidimin e tij si një përgjegjësi për ndryshimin e Partisë Demokratike dhe për rikthimin e saj në qeverisje, duke theksuar se “nga ndryshimi i PD-së kalon edhe kursi i ri i Shqipërisë”.
Lini një Përgjigje