Afati për dorëzim të kandidaturave përfundon sot në orën 12:00.

Teksa kanë mbetur vetëm dy orë nga përfundimi i aftit për t’u bërë pjesë e garës për zgjedhjen e kryetarit të Partisë Demokratike, ditën e sotme në selinë blu kanë paraqitur kandidaturat e tyre Evi Kokalari, mjekja e QSUT Mereme Sela dhe avokatja Alesia Balliu.
Mjekja Mereme Sela e depozitoi personalisht kandidaturën pranë selisë qëndrore të PD.
Sela në një deklaratë për mediat tha se është një figurë e pastër, e papërlyer dhe ka si shtylla të programit të saj, shëndetësinë dhe arsimin.
“Jam një nga personat me backround-in e duhur për të garuar për kreun e PD-së. Pse kam marrë 43 vota në primare? Kam qenë e vetmja që kam thënë të grupi që të mblidhemi para anëtarësisë dhe të prezantojmë programin, një gjë e tillë nuk është bërë. I kam lexuar kriteret dhe i plotësoj. Kam shumë respekt për doktorin, nëse anëtarësisë i intereson një figurë e pastër, e papërlyer, jam unë. Dy shtyllat kryesore janë shëndetësia dhe arsimi”, tha Sela.
Ndërsa Evi Kokalari ka deklaruar se ka dorëzuar dokumentacionin për t’u bërë pjesë e garës, por nuk ia kanë pranuar.
“Në orën 9:30 AM, avokati im në Tiranë ka shkuar në selinë e PD-së për të dorëzuar dosjen e aplikimit dhe roja nuk e ka lënë të hyjë brenda, por i ka komunikuar, pasi ka folur me dikë brenda, që: “nuk pranojmë zarfe.” Ndërkohë, avokati ua ka bërë të qartë që është aplikimi im. Do ta nisim me DHL dhe do t’ua dërgojmë atyre që duhet, via text dhe email përpara afatit të skadencës. Clowns!!!”, ka shkruar ajo.
Po ashtu dokumentet i ka dorëzuar edhe Alesia Balliu, përmes një personi të autorizuar.
Edhe ish-deputeti Ervin Salianji ka zyrtarizuar kandidimin për kreun e Partisë Demokratike, teksa ka depozituar sot kandidaturën për kryetar të partisë më të madhe opozitare në vend, përballë Sali Berishës.
Sipas udhëzimit kriteret për kandidatët për Kryetar të PDSH-së janë:
-Anëtar i Partisë Demokratike, figurë me profil shumë të lartë publik dhe politik, me angazhim politik dhe elektoral të paktën 10-vjeçar në Partinë Demokratike;
-Të ketë eksperiencë drejtuese në nivel kombëtar/rajonal në betejat politike të Partisë Demokratike, për kauza qytetare dhe politike;
-Të plotësojë kriteret e zgjedhshmërisë sipas ligjit nr. 138/2015 ‘Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike’.
Lini një Përgjigje