Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka marrë pjesë në forumin e Bashkimit Demokrat Ndërkombëtar (IDU) në Zagreb, ku ka paraqitur shqetësimet e opozitës shqiptare për situatën politike dhe ekonomike në vend.
“Ne vijmë këtu në këtë forum botëror për të paraqitur problematikat e mëdha të Shqipërisë dhe rajonit në këndvështrimin tonë", deklaroi Berisha.
Në fjalën e tij, Berisha ngriti akuza të forta për mënyrën se si po drejtohet vendi, duke e lidhur këtë me pengesat në procesin e integrimit europian.
“Pengesat shumë serioze që Edi Rama, me shtrirjen e Shqipërisë në një autokraci elektorale apo diktaturë autoritare, i ka bërë dhe i bën procesit të integrimit", u shpreh ai.
Një nga deklaratat më të forta ishte ajo për ndërtimin e një “narko-shteti” në Shqipëri.
“Shqipëria është përballë një problemi madhor… me ndërtimin e narko-shtetit të parë dhe të vetëm në Evropë”, tha Berisha.
Ai shtoi se, grupet kriminale kanë ndikim të drejtpërdrejtë në vendimmarrje dhe përbëjnë rrezik për sigurinë. Berisha u ndal edhe te gjendja ekonomike, duke theksuar se vendi po përballet me vështirësi të mëdha.
“Shkatërrimi ose dëmtimi i rëndë i ekonomisë shqiptare”, ishte një tjetër shqetësim që ai ngriti, duke përmendur ndikimin në eksporte, prodhim dhe bujqësi.
Kryedemokrati u shpreh gjithashtu se rrjete kriminale kanë depërtuar edhe në sistemet digjitale, duke e cilësuar këtë si kërcënim për sigurinë kombëtare dhe rajonale.
Gjatë forumit, Berisha zhvilloi takime me përfaqësues të lartë ndërkombëtarë dhe bëri të ditur se çështja e Shqipërisë do të diskutohet edhe në panelet e dedikuara për Ballkanin dhe sigurinë.
"Do paraqesim para partnerëve ndërkombëtarë shqetësimet për ‘autokracinë elektorale’ dhe pengesat në rrugën drejt BE-së.
Po, ky është forumi i IDU-së, Bashkimit Demokrat Ndërkombëtar, organizatës që grupon partitë e qendrës së djathtë dhe të djathta të të gjithë botës. Organizatë e cila ka si parti kryesore udhëheqëse, Partinë Republikane të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si partia më influente.
Ndërkohë, presidenti i saj është një nga ish-kryeministrat më të shkëlqyer të Kanadasë, Stephen Harper, një mik i çmuar i opozitës shqiptare dhe i Shqipërisë. Ne vijmë këtu në këtë forum botëror për të paraqitur problematikat e mëdha të Shqipërisë dhe rajonit në këndvështrimin tonë, për t’i debatuar dhe diskutuar këto probleme me aleatët tanë.
Probleme madhore që kanë të bëjnë me sigurinë në rajon, probleme madhore që kanë të bëjnë me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, pengesat shumë serioze që Edi Rama me shtrirjen e Shqipërisë në një autokraci elektorale apo diktaturë autoritare, i ka bërë dhe i bën procesit të integrimit, me ndërtimin e narko-shtetit të parë dhe të vetëm në Evropë, shkatërrimin ose dëmtimin e rëndë të ekonomisë shqiptare për shkak të zhvlerësimit dramatik të euros dhe dollarit, goditjes shumë të rëndë të eksporteve, prodhimit industrial, prodhimit bujqësor.
Pra, kemi, përveç faktit që dihet që klanet e drogës janë sot vendimmarrësit kryesorë dhe më të rëndësishëm, por ato siç kanë faktuar zbulimet e fundit, ato arritën të kontrollojnë të gjithë internetin e Shqipërisë me të gjithë të dhënat e shqiptarëve", u shpreh Berisha.
Lini një Përgjigje