Ministri i Financave, Petrit Malaj, zhvilloi një konferencë për shtyp ku prezantoi ecurinë e të ardhurave dhe përmirësimin e administrimit fiskal gjatë tremujorit të parë të vitit.
Gjatë konferencës, ai u ndal edhe te shqetësimet e ngritura nga përfaqësues të biznesit lidhur me rritjen e kostove si pasojë e çmimeve të karburanteve dhe kërkesat për lehtësira fiskale apo subvencionim.
Malaj bëri të ditur se aktualisht po zhvillohen diskutime mes grupeve të interesit, përfshirë shoqatat e transportuesve dhe institucionet përgjegjëse si Ministria e Ekonomisë dhe ajo e Infrastrukturës dhe Energjetikës, ku po shqyrtohen mundësitë për ndërhyrje.
Ai theksoi se çdo masë lehtësuese do të analizohet në mënyrë të veçantë, ndërsa nënvizoi se, bazuar edhe në rekomandimet e institucioneve ndërkombëtare si FMN dhe Banka Botërore, prioritet i qeverisë mbeten shtresat vulnerabël dhe qytetarët në nevojë.
Sipas ministrit, mbështetja për sektorë të caktuar të ekonomisë do të vijë vetëm pasi të jetë garantuar ndihma për këto kategori.
"Në dijeninë time ka një diskutim mes grupeve të interesit, shoqatës së transportuesve, Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Energjetikës dhe Infrastrukturës, ku kërkohen masa lehtësuese. Këto janë masa lehtësuese të cilat ne do t’i vlerësojmë rast pas rasti. Por, siç thashë, rekomandimet nga FMN dhe BB vijnë në formë të tillë që ndihmat që ofron qeveria duhet të jenë fillimisht te grupet vulnerabël dhe shtresat në nevojë, përpara se të ndihmojmë sektorë specifikë brenda ekonomisë shqiptare.", tha Malaj
Lini një Përgjigje