Kreu i grupit parlamentar i PS, Taulant Balla është paraqitur në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku dëshmoi në lidhje me dosjen “Partizani”, në cilësinë e kallëzuesit.
Në një deklaratë për mediat para se të hynte në ambientet e Gjykatës, Balla u shpreh se i qëndron plotësisht kallëzimit të tij dhe theksoi se politikanët duhet të mbështesin punën e SPAK-ut dhe drejtësisë së re, të cilën e cilësoi si instrument në luftën kundër korrupsionit.
“Kjo është një ditë e madhe për Shqipërinë që në bankën e të akuzuarve gjenden një ish-kryeministër, ish-president për korrupsion. A kanë bërë politikanët korrupsion në Shqipëri? Padyshim që kanë bërë korrupsion dhe ajo që kthyem në 2016, kur miratuam drejtësinë e re, me votën e të gjithëve dhe me votën e atij që ndodhet sot në bankën e të akuzuarve, që do vijë një ditë në Shqipëri kur politikanët do të gjenden në bankën e të akuzuarve për korrupsion”, tha Balla.
Balla u shpreh se e mbron “fjalë për fjalë” kallëzimin e tij për Berishën.
“Unë besoj se shqiptarët kanë sot më shumë besim te drejtësia dhe drejtësia është një institucion që po forcohet dita-ditës. Ajo që mendoj unë është që politikanët që vijnë këtu duhet të mbështesin drejtësinë, të mbështesim punën e lavdërueshme të prokurorëve të posaçëm që po çmontojnë korrupsionin në Shqipëri.
Atëherë po e them dhe njëherë që nga viti 1912, kur shqiptarët bënë shtetin e parë, Shqipëria nuk ka qenë më afër Europës sa është sot dhe arsyeja që jemi më afër Europës është reforma në drejtësi që ka kthyer besimin te drejtësia. Konfirmojnë dita-ditës që Shqipëria po bën hapa të lavdërueshëm dhe t’ju konfirmoj që pritshmëria në 2017 të mbyllim negociatat dhe në 2030 të ngrejmë flamurin e Shqipërisë në oborrin e BE-së është e vërtetë. Unë do të përgjigjem për çdo gjë që të më pyesin. I qëndroj kallëzimit tim”, tha Balla.
Balla brenda sallës së gjyqit tha se privatizimi i kompleksit sportive “Partizani” nuk është bërë sipas procedurave ligjore, pasi të kallëzuarit kanë shfrytëzuar pozicionet e tyre dhe lidhjet familjare.
"Prej 2012 e në vazhdim kam paraqitur dyshimet e mia si është proceduar nga organet përgjegjëse lidhur me privatizimin e kompleksit sportiv "Partizani". Ky proces nuk është bërë sipas procedurave ligjore. Të kallëzuarit kanë shfrytëzuar pozicionet e tyre. Kanë shfrytëzuar lidhjet familjare. Binte në sy që procedurat ishin bërë në kohë rekord. Për 6 muaj ishte bërë njohja, kthimi dhe dorëzimi i godinës. Në 2012, kur bëra investigimet e para edhe si deputet, por edhe si dashamirës i sportit, investigova si një prone e tille ishte hequr nga plani i përhapjes.", tha Balla.
Në seancën e sotme në GJKKO janë thirrur 8 persona, Taulant Balla, Afrim Tole, Isa Tare, Bujar Labinoti, Albert Xhani, Paro Laçi, Dhurata Çela dhe Petrit Kullolli.
Lini një Përgjigje