TAGS-AT E JAVËS

Politike30 Prill 2026, 16:09

U pyet për dosjen “Partizani”, Balla del nga GJKKO: I qëndroj kallëzimit tim, shpresoj të thirrem edhe për “21 Janarin”!

Shkruar nga Pamfleti
U pyet për dosjen “Partizani”, Balla del nga GJKKO: I
Balla pas daljes nga GJKKO

Kreu i Grupit të PS, Taulant Balla pasi ka përfunduar dëshminë në SPAK për aferën Partizani, u shpreh për mediat se do i qëndrojë kallëzimit të tij ndaj Sali Berishës.

Balla theksoi se procesi duhet të zhvillohet në mënyrë të drejtë dhe të çojë në përcaktimin e përgjegjësive për personat e përfshirë. Ai nënvizoi se prania e ish-zyrtarëve të lartë në bankën e të akuzuarve përbën një zhvillim me rëndësi për publikun. Balla shtoi drejtësia mund të vonojë, por duhet të arrijë në përfundime konkrete.

Ai e lidhi çështjen me mënyrën si është përdorur prona e ish-kompleksit sportiv, duke theksuar se hapësirat që mund të shërbenin për të rinjtë janë zëvendësuar me ndërtime që kanë gjeneruar pasuri.

Në vijim, Balla përmendi edhe një kallëzim tjetër të depozituar prej tij për vrasjet e 21 janarit, ku tha se pret të thirret si dëshmitar edhe në atë proces, në zbatim të vendimeve gjyqësore ekzistuese.

“Fakti që në bankën e të akuzuarve ka persona që këto 35 vite kanë qeverisur vendin dhe akuzohen për korrupsion dhe fshehje të pasurisë është lajmi mirë për të gjithë shqiptarët. Uroj që procesi të jetë i drejtë dhe përgjegjësia penale të shkojë tek të gjithë personat me përgjegjësi. Nuk jam nga ata persona që kam bërë kallëzim penal me emër tjetër dhe i kam qëndruar atij kallëzimi penal të bërë në nëntor 2020. Drejtësia vonon dhe nuk harron.

Privatizimi i Partizanit, fusha sportive që sot mund të ishin të dobi të të rinjve, sot janë 17 kulla që kanë prodhuar pasuri. Uroj që në vijim të jem këtu edhe për një kallëzim tjetër, që është kallëzimi për 21 janarin. Prej 21 marsit 2011 kur kam depozituar kallëzimin e parë, edhe familjarët e viktimave të 21 janarit, ka një vendim të Gjykatës së Lartë dhe Strasburgut për 21 janarin, shpresoj që edhe për këtë çështje të më jepet mundësia si dëshmitar.

Nuk do bëj asnjë citim të çështjeve që kam bërë në gjykatë, pjesa tjetër është konsum publik. Besoj shumë se kjo çështje do marrë vendimin nga gjykata. Është përgjegjësi individuale pjesëmarrja në gjykatë. Për kallëzimet që bëj mbaj përgjegjësi. Ne nuk ndikojmë kurrë në veprimtarinë e Prokurorisë së Posaçme. Çështja është regjistruar në vjeshtën e 2024, koha është e mjaftueshme flas për 21 janarin.”, tha Balla.

Seanca e sotme  për dosjen “Partizani” në Gjykatën e Posaçme është shoqëruar me debate dhe replika mes palëve, gjatë dëshmisë së kreut të Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla. I thirrur në cilësinë e kallëzuesit dhe dëshmitarit, Balla u pyet nga avokatët mbrojtës të Jamarbër Malltezit dhe Kryedemokratit, Sali Berishës se si i ka siguruar provat dhe bazën e kallëzimit të tij.

Ndërkohë, avokati i Malltezit, Klodian Skënderi, kërkoi sqarime mbi kallëzimin, dhe e ka pyetur Ballën, nëse ai ishte bërë në cilësinë e deputetit apo qytetarit dhe nëse ishte shoqëruar me prova. Balla u përgjigj se të gjitha materialet që kishte në dispozicion i kishte bashkëngjitur kallëzimit.

Ai theksoi se informacionet i kishte siguruar nga qytetarët, media dhe burime të tjera, përfshirë edhe të drejtën ligjore si deputet për të kërkuar informacion nga institucionet. Në lidhje me mënyrën e dorëzimit të kallëzimit, ai deklaroi fillimisht e kishte dorëzuar dorazi në prokurori, ndërsa më pas shtoi se mund të jetë dorëzuar nga një punonjës i Kuvendit.

gjkko spak partizani

Lini një Përgjigje