Protesta që është parashikuar të mbahet nesër në Tiranë pro UÇK-së, ka tensionuar Kuvendin paraditen e sotme.
Në Kuvend, fillimsht socialistët rrëzuan kërkesën e parë për mocion me debat nga opozitarët për programin qeverisës për 4 vitet e ardhshme. 73 deputetë votuan kundër. Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla tha se nuk do t’u pranojnë kërkesa që janë në kundërshtim me rregulloren. Sipas tij, demokratët i dërgojnë qëllimisht kërkesat të shtrembëruara dhe të cunguara sepse nuk duan vetë debat ndërkohë që drejtojnë gishtin te maxhoranca.
Më pas shkak i debatit u bë kërkesa e dytë për mocion lidhet me gjenocidin serb në Kosovë.
Balla, teksa mori sërish fjalën, i kujtoi Berishës një sërë akuzash dhe me ironi e quajti Berishën dhëndër të Serbisë.
“Si ka mundësi që gjithmonë je përfshirë në sulme personale të ulëta kundër komandantit dhe Presidentit Thaçi. Si ka mundësi nuk e ke nxjerrë kurrë nga goja një fjalë për komandantët që mbahen peng në Hagë”, tha Balla.
Balla tregoi edhe një episod që i kishte ndodhur në ndeshjen Serbi-Shqipëri të javës së kaluar, të cilën e kishte ndjekur në stadium.
“Për habinë time, për habinë e plot miqve të tjerë me të cilët isha në Leskovc para tri ditësh, tifozët serbë, kur donin të na shanin, na thirrnin Sali Berisha, Sali Berisha. Një gazetar që ishte pranë meje ia tregoi dhe e mori në telefon dhe i thotë, “mor Doktor, çfarë kanë këta tifozët serbë që thërrasin emrin tënd?”. E thërrasin se Saliu është dhëndri i mirë i Serbisë, i ka shërbyer mirë Serbisë sa herë ka pasur mundësi”.
Ndërkohë kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka lëshuar akuza të ashpra ndaj mazhorancës, e cila sipas tij duhet të adoptonte menjëherë rezolutën e parlamentit të Kosovës për gjenocidin serb ndaj popullsisë civile.
Sipas Berishës, mazhoranca refuzon ta bëjë këtë gjë, pasi kreu i saj është argat i presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.
“Gjatë 1998-1999 forcat serbe kryen në Kosovë rreth 100 masakra ndaj popullsisë së pambrojtur. Kështu u vranë 1400 fëmijë, në Likoshanë, Qiraz, Prekaz, Lybineq, Fortez, Ranzë, Shtimje, Kleckë, Bajgore etj…
Ata që shkelin mbi gjakun e këtyre, nuk janë shqiptarë. Ata janë njerëz primitivë, apo kafshë. Këto shifra janë të rezolutës së parlamentit të Kosovës që ne duhet ta adoptonim menjëherë. Kjo është jashtë çdo lloj koncepti. Si mund të transformoni gjakun tuaj.
Edhe ju keni njerëz që kanë rënë për atdheun. A mundet një shqiptar që të shkelmojë mbi këtë gjë. Ju e bëni këtë gjë se kreu juaj është argat i Vuçiç. Ndaj genocidit duhet të qëndroni. Vrasja e civilëve për shkaqe etnike është gjenocid”, tha Berisha.
Lini një Përgjigje