
Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj ka denoncuar dhunën e forcave të policisë së shtetit ndaj përfaqësuesve të sindikatës së minatorëve në Mirditë, të cilët po zhvillonin një protestë.
Ai tha gjithashtu se, disa prej protestuesve janë shoqëruar në polici. Në një video të publikuar në “Facebook”, deputeti i PD i bën thirrje Prokurorisë për hetim të menjëhershëm dhe të plotë për të zbuluar përgjegjësitë dhe për të sjellë drejtësi.
“PD denoncon me forcë veprimin e dhunshëm të Policisë së Mirditës dhe forcave FNSH ndaj përfaqësuesve të sindikatës dhe minatorëve që po ushtrojnë të drejtën për protestë të ligjshme.
Sipas raporteve, disa prej protestuesve u shoqëruan në polici në mënyrë arbitrare ku janë përdorur metoda fizike që cenojnë integritetin fizik dhe dinjitetin njerëzor.
Ne shprehim solidaritetin tonë të plotë me minatorët që kërkojnë paga të drejta, kushte pune të sigurta dhe dialog institucional të hapur e transparent.
I bëjmë thirrje autoriteteve përkatëse, veçanërisht Prokurorisë dhe Inspektoratit të Punës, të ndërmarrin hetim të menjëhershëm, të paanshëm dhe të plotë për të zbuluar përgjegjësitë dhe për të sjellë drejtësi.
Çdo shkelje e të drejtave themelore duhet të hetohet, askush nuk duhet të jetë mbi ligjin”, shkruan Gjekmarkaj.
Lini një Përgjigje