“Edi Rama është i izoluar ndërkombëtarisht dhe në përplasje me drejtësinë. Rezistenca jonë nuk do të ndalet deri në largimin e tij. Qeveri teknike dhe zgjedhje të lira, detyra jonë është ta rrëzojmë. E diel, ora 18:00 në bulevard”.
Është ky mesazhi që është shpërndarë nga strukturat drejtuese të PD-së, ndërsa ftohen qytetarët që të bashkohen me protestën e 22 marsit, në bulevardin Dëshmorët e Kombit.
Duket se për protestën e rradhës, demokratët e Sali Berishës dhe aleatët e tyre do të ndryshojnë strategjinë, në atë që konsiderohet si aksioni i pandalshëm opozitar për të rrëzuar Qeverinë Rama. Nga raportimet mësohet se në planin e protestuesve nuk do të ketë më lëvizje nëpër rrugët e Tiranës, sikundër ka ndodhur në protestat e mëparshme, që protestuesit lëviznin nga Kryeministria në drejtim të Kuvendit, apo sikundër ndodhi në protestën e fundit, që një grup mbështetës të opozitës, i ranë rrotull akseve kryesore, në formën e mosbindjes civile.
Protestuesit do të jenë të grupuar sipas zonave ku banojnë, pranë të cilëve do të qëndrojnë deputetë ose drejtues të strukturave, ndërsa shumë prej tyre do të mblidhen si zakonisht në selinë e PD-së, nga ku pritet të nisen edhe pjesa më e madhe e drejtuesve të kësaj partie, drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Burimet shprehet se pas kërkesave të vazhdueshme edhe të përfaqësuesve të EPP-së, që nuk kanë përkrahur incidentet me molotov, duket se në protestën e 22 marsit do të tentohet të shmanget përdorimi i mjeteve të tilla. Në këto kushte duket se PD dhe aleatët e saj do të synojnë një protestë të qetë, por të shtrirë në kohë, me një pjesëmarrje të lartë. Protesta pritet të nisë në orën 18:00 dhe pavarësisht se nuk ka një orar të përcaktuar se kur mund të përfundojë, ajo pritet të mbyllet rreth orës 22:00, nëse nuk do të ketë një ndërhyrje nga Policia për të shpërndarë protestuesit.
Nga burimet mësohet se nëse do të ketë provokime në drejtim të turmës, atëherë mund të ketë një ndryshim skenari të protestës, duke krijuar kaos në qytet, sa i takon bllokimit të rrugëve. Në këto kushte situata mund të dalë jashtë kontrollit dhe të përsëriten sërish skenat e përplasjeve mes Policisë dhe protestuesve.
Pavarësisht se kreu demokrat, Sali Berisha, nuk ka hequr dorë nga gjuha e ashpër, duke folur për kryengritje, duket se në praktikë, në protestën e 22 marsit, do të tentohet të minimizohen sa më shumë incidentet, veçanërisht nga ana e opozitarëve. Në këto kushte, duket se do të tentohet që të reagohet ndaj provokimeve, sikundër është pretenduar edhe më parë, që u janë bërë turmës nga ana e Policisë.
Protesta e fundit e opozitës, ku edhe ndodhën incidentet me molotovët në ish-vilën e diktatorit, Enver Hoxha, u pasua me një reagim të fortë të disa prej diplomatëve të akredituar në Tiranë, por edhe zyrtarëve të PPE-së, grupimi politik më i madh në Parlamentin Europian, që po suporton shumë mirë demokratët në arenën ndërkombëtare, por që në anën tjetër nuk përkrah aktet e dhunës.
Dhe mes suportit ndërkombëtar që për politikën shqiptare konsiderohet mjaft i rëndësishëm dhe incidenteve, ndoshta në protestën e 22 marsit, demokratët kanë vendosur të ndryshojnë strategji.
“22 marsi është ditë frymëzimi për Shqiptarët, dita kur de-facto u rrëzua diktatura më e egër. 22 marsi është dita kur shqiptarët ftohen në kryengritjen më të madhe paqësore që ka njohur Tirana dhe Shqipëria”, deklaronte pak ditë më parë Berisha, teksa ftonte shqiptarët t’i bashkoheshin tubimit.
Pavarësisht se kjo ditë përkon me një festë zyrtare për komunitetin Bektashi, kjo datë simbolikisht shënon edhe fitoren e parë të PD-së në zgjedhjet parlamentare, ato të vitit 1992.
Nga raportimet mësohet se edhe në takimet e fundit që kreu demokrat Berisha ka pasur me zyrtarë të PPE-së, por edhe kontaktet që demokratët kanë pasur në Berlin në anëtarë të Bundestagut, u është kërkuar që protestat të mos prodhojnë incidente, pasi kjo i jep Qeverisë argumentet dhe justifikimet, për të deligjitimuar kauzat që ngrihen.
Por jo vetëm kaq, në arenën ndërkombëtare kjo do të cënonte edhe imazhin e opozitës. Në këto kushte, duket se Berisha dhe të besuarit e tij kanë vendosur të ndryshojnë edhe stilin e protestës, duke synuar pjesëmarrjen e lartë dhe kohëzgjatjen e saj.
Burimet shprehen se nëse gjithçka shkon pa incidente do të synohet që brenda 1 muaji të thirret një protestë e madhe ku qytetarët do të tentojnë të rrethojnë në të gjitha anët Kryeministrinë, një format ky që deri më tani nuk është aplikuar nga opozitat në Shqipëri. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje