
Ish-kryeministri Sali Berisha, në fjalimin e tij të përditshëm nga banesa, ka folur edhe për protestën e 20 shkurtit.
Ai e ka quajtur atë si ditën e qytetarëve dhe ditën që do të çeli dyert e Bashkimit Europian për Shqipërinë.
Berisha hodhi akuza ndaj mazhorancës dhe Edi Ramës, mbi të gjitha për largimin e shqiptarëve nga vendi.
“Edi Rama erdhi në pushtet duke u premtuar shqiptarëve dhjetëra e dhjetëra mirësira dhe premtime me të cilat, zotohej se do ndryshonte rrënjësisht jetën e tyre.
Që të gjitha pa përjashtim u provuan mashtrime dhe akoma më keq, njeriu që premtoi shëndetësinë falas, solli atë shëndetësi në të cilën sot, secili prej jush paguan nga xhepi për kujdes shëndetësor, më shumë se çdo qytetar në Europë. Paguan nga xhepi 60 përqind të atyre që shpenzimeve që duhen. Paguan nga xhepi 50 përqind më shumë se sa ç’paguante në vitin 2013.
Erdhi në pushtet duke premtuar heqjen e TVSH-së për ushqimet, lirimin e tyre, sot çdo shqiptar paguan, blen ushqime me 110 përqind të mesatares së BE, pacak se ata kanë rroga 5 herë më të larta se ne shqiptarët.
Rilindja ishte pra, mashtrimi më i madh i shqiptarëve. Nuk jemi njëlloj, jo kurrë, sepse ne premtimet i bëmë realitet”, tha Berisha.
Ish-kryeministri ka renditur nga ana tjetër arritjet e demokratëve gjatë periudhës së qeverisjes së tyre.
Berisha edhe një herë përmendi edhe aferën e inceneratorëve si vjedhjen më të madhe.
“Edi Rama pasi erdhi në pushtet, u mburr me muaj dhe vite për inceneratorët, që do pastronin Shqipërinë.
Në fakt, ajo do të ishte vjedhja më e madhe e shekullit. Atë që ky hajdut e quante krenaria e tij, do të ishte fatkeqësia e shqiptarëve.
Sot 130 milionë euro janë zhdukur, gjurmë inceneratori në Tiranë nuk ka, dy të tjerë nuk funksionojnë.
Nuk jemi njësoj, absolutisht kurrën e kurrës. Edi Rama është kryeministri më hajdut që ka pasur ndonjëherë Shqipëria.
Nuk jemi njëlloj, sepse Edi Rama, vetëm procesin e hapjes së negociatave e festoi dy herë gjatë këtyre viteve me shampanjë, me dekorata, me fishekzjarre. Por në të vërtetë, edhe dhjetorin që kaloi, negociatat nuk u hapën, por përkundrazi Shqipëria mori 5 kushte.
20 shkurti është dita e Europës, është dita e qytetarëve shqiptarë për të çelur dyert e integrimit në Europë.
Është dita për të goditur mashtrimet e Edi Ramës, vjedhjet e tij”, tha Berisha.
Lini një Përgjigje