TAGS-AT E JAVËS

Politike 3 Shkurt 2024, 18:46

Përshkallëzimi i aksionit opozitar, Noka: Të hënën nis kthesa e madhe

Shkruar nga Pamfleti

Përshkallëzimi i aksionit opozitar, Noka: Të hënën nis

Deputeti i Partisë Demokratike Flamur Noka, ishte i pranishëm në tubimin e përditshëm të qytetarëve poshtë banesës së ish-kryeministrit Sali Berisha.

Njësoj si në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, Noka foli për protestat që do të nisin të hënën e që do të shenjojnë përshkallëzimin e aksionit opozitar.

Sipas Nokës, ajo që do të nisë të hënën është kthesa e madhe kundër regjimit të Edi Ramës.

“Këshilli Kombëtar i PD vendosi që ditën e hënë në ora 17:00 të nisë hapi i parë i përshkallëzimit të aksionit tonë politik përpara parlamentit, që është kthyer në një parlament të regjimit, në një parlament të trafikut, në një parlament të krimit.

Këshilli Kombëtar vendosi që ditën e hënë të gjithë t’i çojmë një mesazh Edi Ramës që nuk do ketë kurrë paqe për ty, nuk do ketë kurrë paqe për regjimin tënd kriminal për sa kohë ti e konsideron opozitën armike, për sa kohë ti ke vendosur asgjësimin e saj, për sa kohë ti vazhdon të çosh amanetin e etërve të tu, amanet që synon eliminimin e demokracisë dhe rikthimin e monizmit.

Ne jemi të vendosur që të ecim në këtë rrugë dhe të mos lejojmë përmbushjen e këtij amaneti të etërve të tij.

Nga kjo mbledhje e Këshillit Kombëtar ne vendosëm që pas ditës së hënë, do të jemi në çdo cep të Shqipërisë, do jemi në çdo rrugë dhe çdo rrugicë të këtij vendi, për të frymëzuar qytetarët, për të ngritur demokratët dhe për t’u prirë atyre në betejën për demokraci”, tha Noka.

Deputeti tha se situata ku gjendet sot opozita është si pasojë e veprimeve të kryeministrit Rama.

Sipas tij e vetmja rrugë dalje nga kjo situatë është përshkallëzimi i aksionit opozitar.

“Këshilli Kombëtar i PD mori vendim që kthesa e madhe fillon ditën e hënë. Kthesa e madhe do fillojë përballë parlamentit dhe nuk do të ketë të ndalur gjersa ta gjunjëzojmë këtë regjim.

Ta marrim në dorë fatin tonë. Nuk ka rrugë tjetër dhe kjo ishte një nga rrugët e vetme që Këshilli Kombëtar i PD u propozon të gjithë demokratëve dhe të gjithë aleatëve tanë opozitarë”, tha Noka në fjalën e tij.

flamur noka opozita partia demokratike

Lini një Përgjigje