TAGS-AT E JAVËS

Politike20 Mars 2025, 17:10

Përplasje Rama-Veliaj, kryeministri fut në kolaps Bashkinë e Tiranës!

Shkruar nga Pamfleti
Përplasje Rama-Veliaj, kryeministri fut në kolaps Bashkinë e
Sara Goxhaj-Erion Veliaj & Edi Rama-Anuela Ristani

Veliaj nuk pranon rikthimin e Anuela Ristanit në detyrë, Rama urdhër për shkarkimin e besnikëve të kryebashkiakut...

Edi Rama ka futur në kolaps Bashkinë e Tiranës. Edhe pse derdhi lot krokodili në ditën kur u arrestua Erion Veliaj, në fakt e gjitha ka qenë lojë. Babloku ka ecur me plan shumë të detajuar.

Fillimisht e afroi Veliajn, pastaj i hapi derën e burgut. Më pas e përdori për të testuar opinionin publik mbi planin e “shkrirjes” së SPAK. Pasi e pa që nuk kishte mbështetje, e drodhi. Jo vetëm që Veliajn nuk e përmend më, por u dha ultimatum të vetëve që të mos bëjnë më gafë të dalin dhe ta mbrojnë.

Ky mesazh që u shkoi anëtarëve të grupit parlamentar, ishte treguesi i parë se Ramës në fakt nuk i “dhembte barku” për Veliajn. Plani i tij ishte që të merrte nën kontroll Bashkinë e Tiranës.

Ditën që u arrestua Veliaj ai shkoi me vrap në Bashki duke mbajtur takime të cilat vijuan për disa ditë, derisa Babloku vendosi në krye të institucionit të besuarën e tij, Anuela Ristanit.

Por Erion Veliaj e ka kuptuar lojën, edhe pse me pak vonesë. Pasi vendosi të heshtë pas arrestimit duke mos thënë asgjë për ata që i bënë “puçin”, Veliaj ka vendosur të veprojë me atë që i jep të drejtë ligji, firmën.

Nga qelia ai ka vendosur që kompetencat e tij t’i transferojë te Sara Goxhaj, shefja e tij e kabinetit. Në këtë mënyrë Veliaj ka shkarkuar të emëruarën e Edi Ramës.

Përplasje Rama-Veliaj, kryeministri fut në kolaps Bashkinë e
Urdhri i Veliajt

Kjo duket se ka acaruar kryeministrin, i cili mbrëmë ka shkuar në Bashkinë e Tiranës. Aty ai ka bërë një mbledhje me drejtuesit më të lartë të Bashkisë. Të pranishëm në mbledhje ishin edhe Anuela Ristani, Sara Goxhaj dhe Sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë së Tiranës, Alban Dokushi.

Rama i kërkoi Sara Goxhajt dhe Alban Dokushit që nga ai moment të jepnin dorëheqjen të dy.

Në vend të Sekretarit të Përgjithshëm të Bashkisë Tiranës, Kryeministri Rama caktoi Jonida Halilin dhe si kryetare e komanduar e bashkisë do të vijonte Anuela Ristani. Po ashtu Rama ka urdhëruar policët e Bashkisë që të mos lejojnë të futen në godinë Sara Goxhajt dhe Alban Dokushi.

Por kjo e ka thelluar konfliktin, pasi janë krijuar dy klane në bashki, një grup që mbështet Veliajn dhe një Ramën. Për pasojë ata që janë me Ramën nuk lejojnë futjen në bashki të Sara Goxhajt dhe Alban Dokushit. Ndërsa grupi i Veliajt nuk lejon futjen e Anuela Ristanit dhe Halilit. Madje thuhet se pas kësaj, Rama ka urdhëruar shkarkime të shumta edhe në radhët e policëve të bashkisë, të cilët nuk i janë bindur urdhrit të tij.

Por ky veprimi i tij ka futur në kolaps Bashkinë. Arsyeja është sepse ligji njeh vulë e firmë dhe jo fjalë. Që do të thotë se ligjërisht detyrën e kryetarit e ka Sara Goxhaj, kjo pasi urdhri i Veliajt është protokollur dhe ka marrë formë zyrtare. /Pamfleti

Lini një Përgjigje