Ndërsa përballemi me këto kohë të trazuara, integrimi i Maqedonisë së Veriut dhe fqinjëve të saj ballkanikë nuk duhet të shihet si një barrë, por si një investim për sigurinë dhe zhvillimin e përbashkët të komunitetit euro-atlantik...

Pushtimi rus i Ukrainës dhe debati mbi reagimin e Perëndimit ndaj këtij akti, më ka shtyrë mua, së bashku me shumë të tjerë, të interesohem më nga afër mbi politikën më të gjerë të rajonit. Në këtë kontekst, kam shkruar kohët e fundit për Gjeorgjinë dhe marrëdhëniet midis Armenisë dhe Azerbajxhanit.
Një çështje tjetër emergjente, është nevoja integrimin evropian në Ballkanin Perëndimor. Me sfidat e saj unike dhe ndryshimet e fundit politike, Maqedonia e Veriut, ofron të dhëna shumë të vlefshme për kompleksitetin me të cilin përballen shumë vende në këtë rajon.
Demokracia dhe sistemi shumëpartiak i Maqedonisë së Veriut, u krijuan në vitin 1990 pas dekadash të sundimit njëpartiak komunist. Pas zgjedhjeve të majit të këtij viti, parlamenti i Maqedonisë së Veriut votoi për një qeveri të re konservatore, të qendrës së djathtë të udhëhequr nga VMRO - Partia Demokratike për Bashkim Kombëtar Maqedonas (VMRO-DPMNE).
Në anën tjetër, Aleanca Social Demokratike e Maqedonisë (LSDM), pasardhësja e ish-partisë komuniste, regjistroi rezultatin e saj më të dobët në 34 vjet. VMRO-DPMNE fitoi 58 vende në parlamentin e ri, ndërsa LSDM-ja vetëm 18.
Po ashtu, ky vend zgjodhi presidenten e parë grua, profesoreshën Gordana Siljanovska-Davkova, e mbështetur nga VMRO-DPMNE. Ajo e mposhti presidentin aktual të krahut të krahut të majtë Stevo Pendarovski, duke marrë 65 për qind të votave, ndaj 29 për qind që mori rivali i saj.
Kryeministri i ri, Hristijan Mickoski, profesor i inxhinierisë dhe robotikës nga Shkupi, bëri fushatë për përmirësimin e ekonomisë, ndalimin e largimit të më të arsimuarve nga vendi si dhe për zbatimin e masave të forta kundër korrupsionit. Maqedonia e Veriut përballet me sfida të mëdha ekonomike.
Inflacioni vitin e kaluar arriti në 9.4 për qind, dyfishi i normës së BE-së, duke shkaktuar probleme të mëdha financiare për familjet. Ndërkohë defiçiti buxhetor arriti në 5 për qind, duke e bërë të nevojshme stabilizimin urgjent të financave publike.
Për më tepër, shumë të rinj po emigrojnë nga Maqedonia e Veriut drejt vendeve perëndimore, duke shkaktuar një mungesë të theksuar të fuqisë punëtore dhe një çekuilibër në rritje midis popullsisë së moshë pune dhe pensionistëve. Ky ndryshim demografik, paraqet një sfidë të afërt për të ardhmen e vendit.
Maqedonia e Veriut iu bashkua NATO-s në vitin 2020, pasi zgjidhi një mosmarrëveshje të vjetër me Greqinë në lidhje me emrin e saj. Ajo e ndryshoi emrin zyrtar nga “Republika e Maqedonisë” në “Maqedonia e Veriut”, një akt që shkaktoi shumë debate brenda vendit.
Por pavarësisht tejkalimit të “pengesës së ndryshimit të emrit” me Greqinë, tani procesi i anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE është i bllokuar nga Bullgaria, e cila këmbëngul për disa ndryshime kushtetuese për të mbrojtur pakicën bullgare në Maqedoni.
Kjo mosmarrëveshje, që i ka rrënjët tek mosmarrëveshjet mbi çështje historike, gjuhësore dhe identitare, po e ngadalëson integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut. Zgjerimi i fundit i madh i BE-së ndodhi 20 vjet më parë, kur u pranuan në bllok 10 vende nga Baltiku, Evropa Qendrore, Malta dhe Qiproja.
Një zgjerim i ngjashëm kaq i madh, në stilin e “Big-Bang” kozmik nuk është aktualisht në plan, duke mos pasur një afat kohor të qartë se kur do të ndodhë zgjerimi i ardhshëm. Lodhja nga zgjerimi mbetet e përhapur në kryeqytetet kryesore të BE-së, e shoqëruar nga sfidat e vetë BE-së me inflacionin, energjinë, migrimin dhe konkurrencën globale.
Agresioni rus kundër Ukrainës që nga shkurti i vitit 2022, e ka ndryshuar peizazhin gjeopolitik, duke sjellë dominimin e një qasjeje më strategjike të Perëndimit në lidhje me zgjerimin e BE-së dhe NATO-s, duke përfshirë edhe Ballkanin.
Tani bota e lirë është e përfshirë në një konkurrencë globale gjeopolitike me Rusinë, Kinën, Iranin, Korenë e Veriut dhe aleatët e tyre, gjë që kërkon ndryshimet e duhura në sektorin e mbrojtjes, bazës industriale, pavarësinë energjitike dhe konsolidimin e zinxhirit të furnizimit.
Për Maqedoninë e Veriut dhe Ballkanin, kjo mund të nënkuptojë një derë të hapur për anëtarësimin në BE. Sepse sa më gjatë që Ballkani Perëndimor mbetet në një harresë gjeopolitike, pa një afat të qartë kohor për anëtarësimin në BE, aq më e madhe është edhe mundësia e ndikimeve të huaja dashakeqe në rajon.
Maqedonia e Veriut dhe qeveria e saj e re, duhet të jenë anëtarë të përgjegjshëm të NATO-s, të përkushtuar ndaj vlerave dhe integrimit euro-atlantik. Ky vend ka nevojë për reforma të mëdha ekonomike të tregut të lirë, me synim tërheqjen e investimeve të huaja.
Ndërsa po punojnë për ta arritur këtë, BE-ja dhe Perëndimi në përgjithësi kanë përgjegjësinë për t’u angazhuar në nxitjen e tyre në mënyrë të drejtë, dhe duke pasur parasysh vlerën strategjike të këtij procesi. Integrimi i Ballkanit Perëndimor, përfshirë Maqedoninë e Veriut, në BE dhe NATO, nuk është vetëm një çështje e stabilitetit rajonal, por një imperativ strategjik për Perëndimin.
Ndërsa po rriten tensionet gjeopolitike, bëhet edhe më e dukshme rëndësia e konsolidimit dhe harmonizimit të politikave të jashtme dhe të sigurisë të SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian. Duke futur në bllok vende si Maqedonia e Veriut, Perëndimi mund të forcojë pozicionin e tij përballë sfidave në rritje nga fuqitë revizioniste:Rusisë dhe shteteve të tjera autokratike, të cilat po sfidojnë rregullat e rendit ndërkombëtar aktual.
Rruga që shtrihet përpara mund të jetë komplekse. Ajo kërkon durim, diplomaci dhe përkushtim për reforma nga të gjitha anët. Megjithatë, përfitimet e mundshme - një Evropë Juglindore më e qëndrueshme, më e begatë dhe më strategjike - peshojnë shumë më tepër se sa sfidat që duhen kapërcyer.
Ndërsa përballemi me këto kohë të trazuara, integrimi i Maqedonisë së Veriut dhe fqinjëve të saj ballkanikë nuk duhet të shihet si një barrë, por si një investim për sigurinë dhe zhvillimin e përbashkët të komunitetit euro-atlantik./Përshtati Pamfleti nga "Kyiv Post"
Shënim: Lord Ashcroft, është biznesmen, filantrop, publicist dhe anketues ndërkombëtar.
Lini një Përgjigje